Nga Ben Andoni
Debati i fundit sa i përket rivarrimit të piktorit të njohur Ibrahim Kodra ka nxjerrë edhe njëherë publikisht në pah sesa e respektojmë institucionin e vdekjes. Njëra palë, që lidhet me fondacionin me emrin e tij, mëton se i ndjeri e ka lënë me gojë të varroset në Tiranë ose në Durrës, kurse ishmakët, ku ka qenë i varrosur deri më tani, e quajnë si sakrilegj zhvarrimin e tij. Problemi ndërlikohet sepse kjo nuk referohet aspak në testamentin e tij. Siç ndodh zakonisht, debatit i është bashkuar edhe politika, pasi kur një palë mbështet një argument, tjetra do t’i kundërvihet menjëherë. Duket pak si e ekzagjeruar nga Ministria jonë e Kulturës që po merret me këtë, ashtu si njësoj duket e lodhshme ajo që po bën z.Berisha kundër nga ana tjetër. Me shumë siguri, i ndjeri, nëse do e dinte dhe do t’i kuptonte më mirë bashkatdhetarët do të kujdesej të prehej në një vend diku të panjohur, atje ku jetoi më së shumti.
Gjithsesi, shkas është kjo ndodhi, për të hedhur pak dritë në atë që ka ndodhur në dekadat e shekullit të fundit me varrim-zhvarrimet. Janë kaq ‘pavlerë’ për qytetarët saqë nuk mund të mos kujtosh se kompleksin funebër të Ismail Qemalit, e dinin pak veta deri vitet e fundit. Plaku i pavarësisë ishte lënë në hije dhe madje, kush rastiste të shkonte në lulishten (ku prehej) e lënë pas dore që përdorej si shurrtore dhe vend prehje lojrash-tavoline pensionistësh, do shikonte shkronjat e munguara (dhe madje edhe gabim) mbi suprinën e varrit të vet. Deri më atëherë ishte zhvarrosur dy herë. Dhe, kaq të paditur ishin shqiptarët për vendvarrimin e tij, saqë një nga Ministrat e Kulturës do shprehej se për 100-vjetorin do ia sillnin eshtrat në Shqipëri!!! S’mbaron këtu. Do jenë të paktët njerëzit, sidomos brezi i ri, që e dinë se MIGJEN-i, Luigj Gurakuqi dhe Vaso Pasha janë të varrosur në “Varrezat e Dëshmorëve” në Shkodër, deri vonë fare pranë landfield-it të plehrave. MIGJEN-it ja kanë prishur shpesh varrin, autorë, që kurrkush nuk i ka zbuluar. Vëllezërve Topulli ua kanë shkatërruar deri vonë varret në Gjirokastër dhe askush nuk kujtohej, megjithë apelet e shumta. Të vijojmë me figura të shquara: Çifti Puzanova, që kontribuoi si askush për ikonografinë shqiptare, ishte lënë deri vonë në harresë dhe do ishte insistimi i Maks Velos, që të kthehej një lloj kujdesi për të meremetuar varrin modeste të të ndjerëve. Stërmbesa e Hoxha Tahsinit ka bërë përpjekje titanike që t’i identifikojë varrin dhe t’ia sjellë eshtrat të parit të saj nga Stambolli, por nga shteti ka pasur harresë totale për mësuesin e rilindasve tanë.
Historia e varrimeve dhe zhvarrimeve nuk mbaron këtu, sepse ajo përfshiu dhe njerëzit e luftës, që në fillimvitet ’90 u nxorrën brutalisht nga varret. Ata, vetë, nga ana e tyre, në të gjallë, i vunë minat vendvarrimit të Nënës Mbretëreshë.
Me pak fjalë, shqiptarët s’kanë qasje të mirë me vendprehjet e figurave të tyre. I ngrenë në qiell dhe pastaj i harrojnë, sepse gjërat i kanë boll të stisura. Jo më kot, në lokalitete, shikon që njerëzit s’kanë më kujtime as edhe për më të afërmit e tyre më të afërt. Dhe, kjo e bën qasjen tonë ndaj vdekjes dhe nderimin e saj tepër konfuz dhe shtirak. Mbi të gjitha paradoksal. Në memorialin e Tre-Vëllezërve Frashëri është ndërtuar varri bosh i Samiut edhe pse turqit e kanë shprehur se kurrë nuk do të lejojnë të merren eshtrat e dinjitarit të tyre! Përkrah Naim Frashërit prehet Faik Konica, një nga njerëzit që e anatemoi dhe e talli paq, poetin kombëtar! Dhe, ironia s’mbaron këtu. Ngjitur aty ku dikur ishin varrezat e para të heronjve partizanë (edhe këto u zhvendosën) prehen varret e ushtarëve gjermanë të Luftës së Dytë dhe pas një rudine të vogël, pak metra më tutje, ushtarët aleatë anglezë!!!
Një konglomerat pa kuptim, që e tall disi vdekjen, autoritetin më të lartë të qënies. E gjitha kjo na bën që të mendojmë se mbase ka ardhur koha, që të mos ia lemë më zgjidhjen rastit dhe paarsyes, por një logjike kriterit të vendosjes të fundit të figurave të shquara. Mbase idea e një panteoni po piqet, por si ndodh me ne po bëhet vetvetiu dhe jo e menduar. Për këtë të fundit druhemi sepse po ne mund ta shpërfytyrojmë konceptin e tij me mllefet dhe inatet pafund.
Dhe, Ibrahim Kodrës, mbase do i duhej ende edhe pak kohë që të zinte një vend nderi në këtë panteon, i cili do të ishte një model nderimi edhe për të rinjtë, që janë krejt konfuzë për vlerat kombëtare. Në fund, mbase ky rast, e bën dikë të mendoj për një projekt-Panteoni që fle në mëndje të zgjuara dhe do të na bëjë të ndihemi krenarë.