Ish-ministri grek i Financave, Janis Varufaqis krijoi sot një lëvizje politike panevropiane të majtë me qëllimin, sipas tij, për demokratizimin e Evropës.
“Dezintegrimi i shpejtë i Evropës duhet të marrë fund”, deklaroi Varufaqis në një konferencë shtypi në Berlin duke paralajmëruar se lëvizjet nacionaliste në Kontinentin e Vjetër mund të shkaktojnë fragmentarizim politik, të ngjashëm me atë të viteve ’30 të shekullit të kaluar.
Varufaqis, një ekonomist i cili u bë i famshëm vitin e kaluar kur u caktua ministër i Ekonomisë i Greqisë, e ka njoftuar që disa muaj më parë krijimin e kësaj lëvizjeje për reformimin e institucioneve të Bashkimit Evropian.
Kjo lëvizje që quhet ”DiEM 25”, shkurtim i shprehjes ”Lëvizja për Demokraci në Evropë 2025”, do të paraqitet zyrtarisht sot në teatrin berlinez ”Volksbuhne”.
Gjatë një interviste tetorin e kaluar, Varufaqis tha se përvoja e tij në takimet e Eurogrupit për marrjen e një ndihme të tretë shpëtimi për Greqinë i kishte mësuar se Bashkimi Evropian nuk ishte demokratik dhe se kishte nevojë për më shumë transparencë.
“Një konfederatë politikanësh miopë, ekonomistësh naivë dhe ‘ekspertësh’ të paaftë financiarë binden të nënshtruar ndaj urdhërave të konglomerateve financiare dhe industriale duke armiqësuar evropianët dhe duke nxitur përplasje të rrezikshme antievropiane”, thuhet në manifestin e kësaj lëvizjeje.
“Një ide e thjeshtë dhe radikale është forca motivuese e DiEM 25: Të demokratizojmë Evropën! Bashkimi Evropian ose do të demokratizohet ose do të deintegrohet!”, shtohet në të.
E ardhmja e Bashkimit Evropian ndodhet nën presion të jashtëzakonshëm prej muajsh pasi unioni po përpiqet mjaft që t’i japë një përgjigje migracionit masiv dhe rigjallërimit të ekonomisë në stanjacion.