Komiteti Olimpik i SHBA-së (USOC) u ka thënë federatave sportive të këtij vendi që sportistët dhe stafi që janë të brengosur për shëndetin e tyre për shkak të virusit Zika mund të shqyrtojnë mundësinë që të mos udhëtojnë fare në Lojërat Olimpike në Rio de Janeiro në gusht. Mesazhi është dhënë në një mbledhje ku ishin zyrtarët e Komitetit Olimpik të SHBA-së dhe liderët e federatave sportive të SHBA-së në fund të janarit. Këtë e kanë bërë të ditur dy persona që ishin prezentë në atë mbledhje, përcjell sot Koha Ditore shkrimin e Reuters.
Federatave u është thënë se asnjëri nuk ka pse të shkojë në Brazil nëse nuk ndihet komod me këtë, ka treguar presidenti dhe kryetari i bordit të Federatës së Skermizmit të SHBA-së, Donald Anthony. USOC-ja u ka thënë federatave sportive se po e marrin seriozisht rrezikun nga Zika në Lojërat Olimpike në Rio de Janeiro dhe pranojnë se sportistët dhe po ashtu stafi do të përballen me vendim të vështirë nëse të udhëtojnë apo jo.