Është shumë i mirë në futjet në zonën e rreptësisë, por këtë herë Lautaro Martinez ka gabuar me kohën. Faji i një harbimi në disko për ditëlindjen e partneres së tij Agustina Gandolfo, direkt pas humbjes së hidhur në Torino ndaj Juventusit.
Një mbrëmje sigurisht e organizuar prej disa kohësh për të festuar 27-vjetorin e modeles argjentinase, por gjithsesi Interi nuk e pëlqeu.
Prezenca e “Toro” në një klub të njohur nate në zonën e Parco Sempione nuk i ka pëlqyer aspak klubit zikaltër, aq më tepër që fotot dhe videot që kanë përfunduar në rrjetet sociale.
Në shënjestrën e popullit zikaltër ka përfunduar Lautaro Martinez, cili nuk ka shkëlqyer në ndeshjen e humbur kundër bardhezinjve, por ka qenë i papërmbajtur mbrëmjen pasuese në një lokal të Milanos.
Polemikat në rrjetet sociale janë ndezur nga një videoja, ku shihet sulmuesi argjentinas duke kërcyer dhe pirë gjatë festimeve për datëlindjen e partneres së tij.
Një skenë që nuk është pëlqyer nga shumë tifozë të Interit, edhe pse ka pasur nga ata që i kanë dalë në mbrojtje lojtarit, i cili “nuk ka bërë gjë tjetër, vetëm sa ka festuar ditëlindjen e së fejuarës së tij”.
Sidoqoftë, sulmuesi argjentinas u thirr nga klubi në Pinetina për t’u kritikuar nga kjo sjellje pas një humbjeje të hidhur si ajo ndaj Juventusit, siç raporton “Corriere dello Sport”, ndërsa gjoba duket se është shmangur.
/a.r