Një influencër Instagrami nga Nigeria është dënuar për më shumë se 11 vjet burg në SHBA për rolin e tij në një sindikatë ndërkombëtare mashtrimi. Hushpuppi, emri i vërtetë i të cilit është Ramon Abbas shfaqte një stil jete të pasur në faqen e tij në Instragam e cila ndiqej prej më shumë se 2,8 milionë ndjekësish derisa u çaktivizua.
Përveç dënimit me burg, gjykatësi në Los Anxhelos e urdhëroi atë që të paguante 1,732,841 dollarë si kompensim për 2 viktima të mashtrimit. Abbas do të vuajë dënimin e tij në një burg federal.
Vitin e kaluar ai u deklarua fajtor për pastrim parash. Abbas pranoi se u përpoq të vidhte më shumë se 1,1 milionë dollarë nga një bamirës që donte të financonte një shkollë të re për fëmijët në Katar.
Ramon Abbas e mashtroi bamirësin për të siguruar fonde për shkollën në Katar duke luajtur rol si zyrtar i një banke me një faqe internet fallco. Në lidhje me këtë ngjarje, departamenti i drejtësisë i SHBA-së tha që dyshohet se janë të tjerë të përfshirë, por Abbas luante një rol kyç.
Gjithashtu Abbas e pranoi se ishte përfshirë në disa skema të tjera mashtrimi përmes internetit.
“Ramon Abbas shënjestroi si amerikanët, ashtu edhe ndërkombëtarët, duke u bërë një nga pastruesit më të mëdhenj të parave në botë. Abbas shfrytëzoi platformat e tij të mediave sociale për të fituar famë dhe për t’u mburrur për pasurinë e pamasë që fitoi duke kryer mashtrime me email biznesi, vjedhje bankash në internet dhe mashtrime të tjera të mundësuara nga kibernetikë që shkatërruan financiarisht shumë persona”, tha Don Alway, ndihmësdrejtori i FBI-së në Los Anxhelos.
Abbas i kërkoi falje gjykatësit Otis D Wright për krimet e tij duke thënë se do të përdorte fondet e tij personale për të paguar “viktimat” që kishin rënë pre e mashtrimit të tij. Po ashtu, ai tha se kishte fituar vetëm 300,000 dollarë nga krimi për të cilin gjykohet.
Jetesa luksoze e Abbasit mori fund të papritur në vitin 2020, kur ai u arrestua teksa jetonte në Dubai.
/a.r