Autori i vrasjes së Meteo Vasiut, Klodian Çalamani, deklaron se është i sëmurë, ndërsa pritet shoqërimi i detyruar i tij në seancën e radhës, për t’u përballur me togat e zeza dhe familjarët e 8-vjeçarit të ndjerë.
Çalamani, i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese ndaj të miturit” dhe “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitur”, nga e cila mbeti viktimë 8-vjeçari Mateo Vasiu, nuk është paraqitur sërish në gjykatën e Fierit.
Burime pranë gjykatës kanë bërë me dije se i pandehuri ka paraqitur një deklaratë përmes së cilës deklaronte se nuk paraqitej dot për arsye shëndetësore. Ndërkohë në seancë janë paraqitur prindërit e 8-vjeçarit të ndjerë Mateo Vasiu si dhe halla e tij, që kanë qëndruar brenda sallës së gjyqit vetëm pak minuta, ndërsa togat e zeza i kanë bërë me dije se seanca e radhës do të jetë në datë 21 nëntor, në mesditë.
Të ndodhur përballë faktit që Klodian Çalamani nuk është paraqitur në asnjë prej seancave gjyqësore në ngarkim të tij, gjykata ka vendosur shoqërimin e tij me forcë në seancën e radhës.
Kujtojmë se nga hetimet rezultoi e provuar se në datën 16.11.2021 babai i Mateo Vasiut, ka bërë kallëzim penal rreth orës 14:58 pasi është njoftuar në telefon nga bashkëshortja se djali i mitur nuk ka ardhur në banesë dhe nuk dihej vendndodhja e tij, duke dhënë dhe karakteristikat e fëmijës dhe veshjen e tij.
Menjëherë pasi është marrë kallëzimi penal Nr.1262, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, kanë shkuar në fshatin Grecalli, ku kanë kryer verifikime dhe kontroll territori. Është bërë identifikimi i biçikletës që përdorte viktima dhe ka rezultuar se një të tillë e dispononte i dyshuari Klodian Çalamani banor i këtij fshati, i cili e kishte banesën rreth 100m larg banesës së të miturit.
Gjatë kontrollit të banesës është dalluar një pjesë toke e punuar ku pas gërmimit u gjet trupi pa jetë i viktimës. Në këto kushte, është bërë prangosja dhe shoqërimi i të dyshuarit Klodian Çalamani. Në analizë të të gjitha provave të grumbulluara, rezulton e provuar se i pandehuri, para se të kryente veprën penale të “Vrasjes në rrethana cilësuese ndaj të miturit” të parashikuar nga neni 79 germa “a”, ka konsumuar fillimisht veprën penale të “Marrëdhënies seksuale ose homoseksuale me të mitur me dhunë, të parashikuar nga neni 100/2 i K.Penal. Pas kryerjes së aktit homoseksual me dhunë ndaj të miturit, i pandehuri Klodian Çalamani, ka kryer vrasjen me sende të forta, kazmë e lopata.
/s.f