Ilir Alimehmeti, mjeku epidemolog që na “u bë i dashur” gjatë ditëvë të mynxyrta të pandemisë me shpjegimet e tij joankthndjellëse, të zhveshura nga indikacione politike të rëndomta – si ndonjë syresh nga Gjermania që të shpifte – po synon për më tej si një protagonist publik shëndetësor; ai kërkon t’i futet politikës, duke kandiduar për kreun e Bashkisë së Tiranës.
E synon këtë fillimisht brenda PD-së, një PD-je të shqyer në fakt, ku ende nuk dihet se cila është realja, a më saktë zyrtarja, duke qenë nga kahja Berisha.
Krah tij si kandidatë janë dhe dy emra të tjerë, krejtësisht politikë, Belind Këlliçi dhe Gerti Bogdani. Në aspekt të performancës publike, aty ku çmimin e njeriut e përcjell kryesisht fjala e tij, etike dhe përmbajtësore, Alimehmeti i lë pas dy rivalët demokratë me angazhime në PD.
Alimehmeti nuk e fsheh preferencën politike, por nuk kandidon si figurë politike klasike. Kandidon si një figurë me impakt publik, pa dyshim pozitiv, dhe në këtë pikë ngjan si një surprizë. Por në kuptimin politik vështirë të jetë i tillë në vota, nëse vërtet do qe ai emri që do konkuronte me Veliajn, një figurë tashmë e vërtetuar e peshës jo të lehtë politike.
Kjo pasi ka një tregues të së kaluarës së afërt ku Alimehmeti, si profil, nuk funksionoi. Ky qe Halim Kosova, shumë më imponues se Alimehmeti, madje dhe me një përvojë të suksesshme menaxhimi, siç “Maternitetin Mbretëresha Geraldinë”, pa llogaritur kuotat e lartë si një mjek super i vlerësuar.
Kosova kandidoi në 2015-ën për Tiranën, por humbi. Ndoshta në një kohë tjetër, ose me sigël tjetër, do kish fituar pa mëdyshje.
Duke gjykuar më kohën apo kontekstin politik, nuk është ai terren i volitshëm ku Alimehmeti, pa asnjë hije e plot dritë në personalitet, të mund të jetë triumfues dhe në vota.
Ai duhet t’a dijë që sigla ka përqindjen e vetë përcaktuese në sukses apo dështim. Dhe do mjaftonte sigla, ajo e shkërmoqura “PD”, që emrat e saj, sado imponues në drejtime të caktuara, të identifikoheshin thjesht me partinë për të mos u votuar për fitore.
Nuk po themi se është personi i gabuar, por padyshim koha e gabuar e një kandidimi./Tesheshi