Demokratët duket se janë tërhequr nga debati i nxehtë i deri pak javëve më parë për votimin me 2/3 të drejtuesve të institucioneve të drejtësisë në vendin tonë, përballë tre të pestave që kërkonte mazhoranca. Sikundër deklaroi këtë të hënë kreu demokrat Basha pas takimit që pati me eurodeputetët Kukan dhe Fleckenstein, se “opozita është për dialog pa kushte me mazhorancën“, kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Edi Paloka u shpreh në “5 Pyetjet nga Babaramo” se në thelb të bashkëpunimit për reformën në drejtësi është vetëm konsensusi.
“Ne kemi të panegociueshme konsensusin. Idea është që të bëhet me konsensus, dhe këtë e tha edhe Komisioni i Venecias. Sepse numrin e votave nesër mund të vijë një parti që të marrë 110 deputetë, e të vendosë cfarë ligji të dojë, se ky është mentaliteti i Ramës që e tregon tek partia e tij. Thelbi është konsensusi, jo nurmi i votave në Parlament. Nëqoftëse arrihet ky konsensus, atëherë kemi një reformë të qendrueshme. E tha edhe Venecia: Nuk është i rëndësishëm numri i atyre që do e votojnë, por dakordësia mes palëve politike”, u shpreh Paloka.
Në përgjigje të deklaratës që kryeministri Rama bëri nga parlamenti të enjten se “reforma në drejtësi do të votohet do apo nuk do opozita, Paloka dha një deklaratë edhe më të fortë, kur u shpreh se reforma mund të votohet edhe pa Ramën. Nuk dihet nëse deputeti i referohet një zvarritjeje në kohë procesit të reformimit të sistemit gjyqësor deri në mbarimin e mandatit të qeverisë Rama në 2017-ën, apo nëse Paloka i referohet zgjedhjeve të parakohshme që opozita kërkon të mbahen për të rrëzuar nga pushteti kryeministrin.
”Reforma në drejtësi do të votohet dhe këtë nuk ka nevojë ta thotë Rama. Por se kur do votohet nuk varet nga Rama, mund edhe të votohet pa Ramën. Ai nuk është i përjetshëm as si kryeministër, as si kryetar partie“, tha kreu i grupit parlamentar të PD-së.
Demokratët e quajnë tendencë për bllokim, faktin që mazhoranca kërkon që Byroja Kombëtare e Hetimit të diskutohet e miratohet paralelisht me reformën në drejtësi sapo të vijnë opinionet përfundimtare të Komisionit të Venecias për draftin e reformimit të gjyqësorit dhe ndryshimeve kushtetuese. Paloka tha se projektligji për Byronë e Hetimit nuk ka përse të bëhet pjesë e një pakete, kur për të është rënë në dakordësi nga palët politike.
“Projektligjet nuk kanë pse të vijnë në paketë, aq më tepër kur kjo u konsiderua si emergjencë nga kryeministri Rama që në ditët e para të qeverisjes. Ka një duel të heshtur për kapjen e drejtësisë, Rama e ka shprehur hapur ambicien për të kapur çdo institucion. Një nga kërcënimet që i bën Rama Metës është që të huajt më kërkojnë të të fus në burg, dhe këtë ai e përdor për ta mbajtur Metën varur në koalicion. Ndërkohë Meta ka armën e tij, prishjen e koalicionit. Dy palët janë në një fill rreziku, kërcënimi mes tyre. Rama në intervistën e tij në emisionin tuaj kishte deklarimin ndaj Metës që nëse nuk më voton reformën unë prish koalicionin, dhe kjo erdhi si kundërpërgjigje ndaj Metës. LSI tha se nuk jemi ne që e pengojmë Byronë e Hetimit. Edhe PD nuk e pengon, atëherë është Rama ai që e pengon”, tha deputeti demokrat.
Drejtësia nën presionin e kryeministrit – tha Paloka – ka shkuar deri aty sa dënon deputetët pa i lënë të mbrohen, duke ju referuar rastit të tij që u dënua nga Gjykata e Lartë për deklaratën e bërë nga Kuvendi se “Rama është i lidhur me krimin”.
“Një deklaratë që sot e bën Ben Blushi dhe një tjetër deputet i tij, e bën edhe organizata ndërkombëtarë. Dhe çfarë ndodh? Gjykata e Lartë dënon dy krerë të opozitës për këtë deklaratë. Gjykata ka dënuar edhe Ballën me Tahirin, por për shpifje ordinere ndaj fëmijëve të Berishës. Le të dalë një gjyqtar të thotë se Sali Berisha më ka bërë presion për një cështje. Ndërkohë që tani kanë dalë gjyqtarë publikisht që kanë thënë se Rama i ka marrë në telefon. Erdhi në Gjykatën e Lartë dhe i tha cop gjyqtarëve se vendimi që do merrni ju lidhet me karrigen time”, u shpreh Paloka.
Ksera
“Nuk gjej mospërputhje qëndrimesh mes deklaratës zyrtare të PD-së dhe asaj pjese që ka reaguar Berisha. Ajo që ngriti zoti Berisha tha se forma që u ndodh për arrestimin e zotit Ksera ishte e kundraligjshme, dhe është absolutisht ashtu. Është tjetër gjë që ne jemi dakord të hetohet e të dënohet kushdo nëse është fajtor, me faktin se si ka vepruar qoftë prokuroria qoftë ata që kanë proceduar në arrestimin e tij. Ka disa raste ku për bujë bëhen veprime që shkelin ligjin e të drejtat e njeriut”.