Kosova do të njohë diplomat e studentëve që janë arsimuar në universitetet private në Shqipëri. Vendimi është marrë pas një marrëveshjeje të arritur midis ministres së Arsimit Lindita Nikolla dhe homologut të saj kosovar Arsim Bajrami. Dy drejtuesit e institucioneve respektive zhvilluan sot një takim në Tiranë për zbatimin e marrëveshjes.
“Ky është një premtim i mbajtur, posaçërisht nga ana e ministrit të Kosovës, për të bërë të mundur ndryshimet ligjore që mundësojnë njohjen e diplomave të studentëve që vijnë nga Kosova për të studiuar në universitetet shqiptare. Ne jemi bashkë, për të mundësuar në një kohë shumë të shpejtë procesin e njohjes së diplomave, duke ofruar jo vetëm siguri në verifikimin e çdo diplome që është lëshuar nga institucionet tona të arsimit të lartë, por duke qartësuar edhe situatën për ato 18-të institucione private që u mbyllën”, deklaroi Nikolla.
Ndërkohë homologu i saj kosovar deklaroi se gjithçka do të jetë gati për implementimin e marrëveshjes. Sipas tij, ditët në vijim minsitria e Arsimit të Kosovës do të miratojë udhëzimin përkatës.
“Ministria e Kosovës është në fund të procesit dhe që javën e ardhshme do të miratojmë udhëzimin administrativ për njohjen e diplomave për studentët kosovarë që mbarojnë në institucionet e arsimit të lartë privat në Shqipëri”, tha ministri Bajrami.