Nga Denis Dyrnjaja
Pavarësisht sesi janë vendosur në pozicione mes tyre Rama e Meta kanë disa përplasje politiko/publike mes tyre në vite, që në fakt flasin në favor të “rebelit politik” . Kur thua termin “rebel politik”, mendja të shkon te Rama, por në fakt ai është Ilir Meta. Ai ka shfaqur tipologjinë e një politikani kokëfortë që në vitet e para të pluralizmit në Shqipëri. Ishte student grevist, por nuk shkoi në PD ku priste shtruar gostia e pushtetit të parë pas ardhjes së demokracisë. Zgjodhi PS, u atashua dhe ingranua në partinë që pritej të kishte një të ardhme të vështirë për shkak të së shkuarës së saj politike, si parti moniste.
Brenda pak vitesh rebelimi i Metës u shfaq hapur ndaj liderit historik të së majtës dhe PS, Fatos Nanos të cilin e sfidoi madje në disa raste e mundi dhe dominoi në përballjet e brendshme partiake. Pas shumë përplasjesh e rivaliteti Ilir Meta, duke krijuar një forcë të re piltike. Ky akt në fakt nuk ishte nënshtrim apo dështim, por një akt force dhe kurajoje. Kur askush se besonte, Ilir Meta dhe një grup socialistësh anti Nano krijuan një forcë të re piltike të së majtës e cila nga momenti i krijimit në vitin 2004 njohu vetëm rritje. Shumëkush ka gjykimin dhe vlerësimin e vet për mënyrën dhe sjelljen e kësaj force piltike.
Por fakti është se LSI sot me emër të ri Partia e Lirisë është e vetmja forcë e krijuar si fraksion politik që u mbijetoi tranzicionit dhe intrigave piltike të të mëdhenjve PS e PD për ta asgjësuar politikisht. Madje ndërsa kërkonin ta eliminonin të dyja partitë e mëdha flirtuan dhe bënë martesa pushteti me Metën pa votat e të cilit qeveritë e Berishës së pari dhe më pas të Ramës nuk do ekzistonin. Ashtu si me Nanon, Metës i është dashur të përplaset edhe me Berishën edhe me Ramën. Por ndërsa Berisha ka kuptuar se nuk fiton gjë nga përplasja me politikanin që ka si shprehje legjendare “me qetësi dhe dashuri” i dyti, pra Rama ka menduar se Meta nuk i duhet më politikisht ndaj përtej abandonimit ka vendosur prej 2017 të kalojë në sulm kundër ish aleatit që i dha dorën kur Rama ishte në Bashki e Meta si kryeministër në qeveri.
I dha besim në fitoren e 2013-ës kur Rama as vetë se besonte fitoren, por Meta ishte garancia se do bëhej kryeministër. Pas 2013 pak nga pak aleatët filluan të mos ndjehen më komod me njëri tjetrin dhe pse Rama rrinte më shumë te zyra e Metës në Parlament se në zyrën e tij me kosh basketbolli në kryeministri. Dalë ngadalë bindja se pushtetin e mbaj vetë u forcua deri në atë pikë sa aleati i Ramës u shndërrua në armik dhe armiku në fiksim për asgjësim. Rama filloi të merrej më shumë me Metën se me Berishën e PD. U ngritën komisione hetimore dhe u çuan dosje në institucione ndërkombëtare politike e ligjore (Komisioni i Venecias). U ngritën vrrulle e sulme mediatike. U krijuan stuhi e vrrulle proletare, por Meta qëndroi. Ishte president dhe kur të gjithë mendonin se mandati i tij do të ndërpritej në fakt ai sfidoi mazhorancën dhe vetë Ramën kur tha se do të jetë në presidencë deri më 24 korrik kur përfundonte mandati i plotë presidencial.
Dhe ashtu ndodhi. Pra në një mënyrë a në një tjetër Meta në çdo përballje me Ramën e plotfuqishëm me pushtet, ia ka dalë ta sfidojë. Nuk dihet nëse kjo është zotësi e Metës për të fituar apo dobësi e Ramës humbur betejat, por e sigurt është që rezultati flet në favor të Metës në përballjet personale. Pikërisht këtu duket se gjen forcën e sfidës Ilir Meta, njeriu nga i cili Ramës mund t’i vijë fundi i pushtetit. Mund të jetë edhe thjeshtë rastësi, por faktet e përballjeve dorekte personale flasin në favor të Metës. Tani Rama me të tijtë ka nisur një tjetër revansh anti Meta. Beteja për ta nxjerrë spiun e për rrjedhojë edhe për ta nxjerrë një herë e mirë nga politika aktive. Në fakt mënyra sesi Rama po vepron edhe në këtë rast, nuk vështirëson pozitën e Metës, por zvogëlon atë të Ramës.
Zgjedhjet po vijnë dhe do ishte më mirë të pritej përballja dhe një sfidë politike pa këto bonuset ekstraligjore që Rama kërkon t’i marrë në tavolinë. Deri tani ato nuk i kanë funksionuar dhe Metën e kanë nxjerrë më të fortë e të temperuar. Dhe më ç’duket kur vjen puna te kjo sfidë personale, Ramës që e vë shpesh në dukje gjatësinë trupore i humbin centimetrat e bëhet si fëmijë tekanjoz që kërkon me doemos të fitojë një lojë që shpesh dhe në mënyrë të përsëritur e ka humbur. Ndoshta është edhe çështje fati. Meta mesa duket ka dhe shumë fat përveç se luan politikisht me marifet e plot takt. Me gjasë kështu do shkojë edhe kjo tentativa për ta nxjerrë Metën agjent të Sigurimit të Shtetit në mënyrë të sforcuar.