Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, në seancën dëgjimore në Komisionin për Punë, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, tha se ka rritje të buxhetit në vitin 2023 për të dy sektorët, shëndetësi dhe mbrojtje sociale. Buxheti i shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale për vitin 2023 parashikohet në vlerën 95,1 miliard lekë dhe zë rreth 14 % të totalit të shpenzimeve publike ose 4.5% të PBB. Ky buxhet është apo përllogaritët si 3,5% më I lartë se buxheti aktual apo 3,2 miliard më shumë.
Përsa i përket të dy sektorëve të shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale buxheti për shëndetësinë parashikohet në vlerën 64.5 miliard lekë dhe për mbrojtjen sociale dhe për programet e saj 30,6 miliard lekë. Në fjalën e saj Manastirliu tha se buxheti është dy herë më i lartë se ai në vitin 2013.
Ministrja Manastirliu tha se rritja e buxhetit do të shkojë për zgjerimin e shërbimeve falas dhe politika të reja sociale.
“Përsa i përket rritjes së buxhetit për vitin 2023 do t’i dedikohet rritjes së pagave për punonjësit e shëndetësisë duke filluar nga korriku vitit 2023 do të ketë një rritje sërish me 6% për punonjësit e shëndetësisë. Duke krijuar premisa edhe për politika të reja, rritja e buxhetit për vitin 2023 shkon për zgjerimin e skemës së rimbursimit të barnave falas për qytetarët duke mundësuar më shumë trajtime dhe alternative mjekimi për skemën e rimbursimit. Do të kemi një zgjerim përsa i përket skemës së rimbursimit të barnave falas duke mundësuar rritjen e buxhetit për skemë rimbursimi me 3.6%”, tha Manastirliu.
Buxheti i vitit 2023 do të mbështesë të gjitha kategoritë në nevojë me fokus të veçantë nënat kryefamiljare me mbi tre fëmijë.
“Përsa i përket mbrojtjes sociale do të përfshihet një politikë e re e dalë edhe nga nisma e Këshillimit Kombëtar përsa i përket nënave të papuna me mbi tre fëmijë të cilave do t’i subvencionohen nga shteti kontributet shoqërore dhe shëndetësore për 5 vitet e para të fëmijës me një fond të dedikuar prej 600 milionë lekë në programet e mbrojtjes sociale. Gjithashtu do të vijojë mbështetja përsa i përket mbështetjes së programeve të ndihmës ekonomike, pagesave të paaftësisë dhe Fondit Social për ngritjen e shërbiemve sociale në territor”, tha Manastirliu.
/a.r