Briken Sanaj 39 vjeç jetonte prej 1 viti te rezidenca e Kodrës së Diellit në Tiranë, aty ku mbrëmjen e së dielës u ekzekutua me armë.
Briken Sanaj njihej nga rojet e rezidencës me identitetin Anton Gjini, por në dokumentet zyrtare emri i tij është Briken Sanaj.
39-vjeçari sapo kishte parkuar makinën në garazh para se të ekzekutohej. Ai u takua me 3 shokë të tij dhe në atë moment u qëllua me kallashnikov nga një distancë e afërt.
Viktima mori 3 plumba në trup, që i shkaktuan vdekjen e menjëhershme. Briken Sanaj u dërgua në spital në gjendje të vdekur.
Mësohet se 39-vjeçari u qëllua nga një automjet tip Benz në lëvizje. Kjo makinë, disa minuta më vonë u gjet e djegur në Qafë Kashar. Autorët e kishin braktisur mjetin.
Ndërkohë, forca të shumta policore shkuan në vendngjarje, ndërsa u ngritën shumë postblloqe. Disa persona u shoqëruan për t’u marrë në pyetje.
Policia vijon hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.
/a.r