Kreu i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike Edi Paloka ka folur për situatën brenda PD dhe rreth negociatave që po zhvillohen me Gazment Bardhin. I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, Paloka u shpreh se takimet kanë qenë të vazhdueshme, madje edhe jashtë syrit të mediave.
Sipas Palokës, nuk ka pasur asnjë kusht, madje palës tjetër nuk i kanë kërkuar as të njohin Berishën për kryetar, duke i lënë të lirë në qëndrimin e tyre.
“Nuk kemi hyrë në biseda të tilla, kemi folur si mund të bashkëpunojnë. Kam komunikuar me Bardhin edhe me telefon dhe mesazhe, jemi ulur në kafen e Kuvendit në Parlament për tju shpëtur ju gazetarëve. Jemi në këto pozita. Nëse kemi deklaruar se nuk do kemi kushte me njëri tjetrin duhet ti qëndrojmë kësaj. Ne nuk kemi kërkuar madje as të pranojnë Berishën si kryetar. Ata mund të vazhdojnë të kenë qëndrimet e tyre”, tha Paloka.
Edhe pse është kundër primarëve, Paloka u shpreh se kjo çështje nuk mund të preket dhe nuk mund të konsiderohet si kusht.
“Ne psh, cështja e primareve është një çështja që nuk mund të preket. Nëse ti nuk pranon këtë dhe e nxjerr këtë, ky nuk është kusht. Unë jam nga ata që kam qenë kundër primareve, por nuk jam unë që e vendos. E shoh me problemet që mund të krijohen”, theksoi Paloka duke u shprehur i bindur se dalja me dy kandidate ne zgjedhjet lokale e dëmton PD./m.j