Me rastin e festës kombëtare greke, po zhvillohet sot në Këlcyrë një ceremoni përkujtimore, ku e pranishme ishte edhe ambasadorja e Greqisë në Tiranë, Sofi Filipidhu, si dhe konsulli i Përgjithshëm grek, Sekretar i Përgjithshëm i Diasporës dhe diplomacisë publike në ministrinë e Jashtme helene, Janis Krisullaqis, ku vizituan objektet fetare, por edhe varrezat ku sipas autoriteteve helene prehen eshtrat e rreth 950 ushtarëve grekë, që humbën jetën gjatë luftimeve me forcat fashiste italiane.
Festimet që përfshijnë të gjithë Greqinë, zhvendosen çdo vit edhe në Shqipëri dhe ceremonia që nis në Këlcyrë dhe më pas zhvendoset në varrezat e Bularatit.
Në ceremoninë e Bularatit, sipas informacioneve, morën pjesë edhe familjarë të Konstandin Kacifas, banues i atij fshati që mbeti i vrarë më 28 tetor të vitit 2018, gjatë një përplasje me armë me policinë shqiptare, pikërisht gjatë festimeve për festën kombëtare të Greqisë, ku më parë kishte qëlluar me armë ndaj një patrulle.
Ata përkujtuan 4-vjetorin e asaj ngjarje, por pa praninë e autoriteteve zyrtare.
Ndërkohë, sipas burimeve të A2 CNN, ka përforcim të masave nga policia shqiptare që ka ngritur disa postoblloqe pikërisht përgjatë akseve Gjirokastër-Tepelenë dhe Gjirokastër-Kakavijë.
/a.r