Këtë të hënë, një 15-vjeçare ka raportuar në Policinë e Pejës se shtatorin e vitit të kaluar është përdhunuar nga xhaxhai i saj.
I dyshuari I.M 39-vjeçar është vënë në pranga po atë ditë. E përveç përdhunimit, siç mëson Top Channel ka vazhduar me shantazhin dhe format e tjera të abuzimit ndaj mbesës së tij, pasi edhe jetonin në bashkësi familjare. Viktimës i është ofruar mbrojtja dhe përkujdesja e duhur nga ana e Prokurorisë, por siç mësohet ajo është kthyer në shtëpi me insistimin e familjes.
Hetuesia bën me dije se ka kërkuar edhe masën e sigurisë prej një muaj paraburgim. I dyshuari po mbahet në spital nën mbikëqyrjen e policisë për shkak që ditë më parë është operuar, megjithatë pritet që së shpejti të lirohet nga spitali.
Gjykata Themelore e Pejës pritet të caktojë edhe masën e paraburgimit për të dyshuarin.
Të martën është raportuar edhe për një rast tjetër përdhunimi në Fushë Kosovë, ndërkohë prokuroria e shtetit ka njoftuar se në Kosovë në nëntë muajt e vitit 2022 janë regjistruar 49 raste të përdhunimeve dhe mbi 60 raste të abuzimeve seksuale.
/e.d