Në rubrikën “Komenti i Ditës”, nga Dritan Hila në Dritare TV u diskutua për protestën më të fundit të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe pjesëmarrjen e ulët që e shoqëroi.
Nëpërmjet analizës, zoti Hila tregoi si kjo mbështetje ndaj Berishës binte dita-ditës dhe cilat ishin disa nga arsyet që si në këtë protestë, fitili për Berishën nuk po ndez më.
“Këtë radhë Berishës nuk po i ndez fitili, dhe ka disa shkaqe. Berisha nuk është më ai i pari. Që të ndezi një revolucion, duhet që lideri i tij të përfaqësojë një kauzë, që të jetë i pastër, të ketë një argument moral që nis nga ajo që ai përfaqëson. Në 32 vjet Berisha është konsumuar jo vetëm nga ana politike por edhe nga ajo morale. Berisha ka disa problematika të mëdha në historinë e tij të cilat nëse nuk i ka dënuar Gjykata, i ka dënuar gjykimi popullor. Në 97 Shqipëria mori një njollë të pashlyeshme, 85 vjet pas krijimit si shtet, duke treguar dhe vërtetuar tezat e armiqve të saj, që shqiptarët nuk dinë të qeverisin.
Berisha, përveç kësaj, në 97 shkaktoi një eksod të madh të largimit të trurit të shqiptarëve të cilët krijuan bindjen që ky vend nuk bëhet. Pasoja që po i vuajmë edhe sot e kësaj dite. Dikush mund të thojë që në 2005 Berisha ndryshoi, por në fakt nuk është kështu. Kemi ngjarjen e Gërdecit ku është e implikuar rëndë familja e tij. Më vonë kemi katër të vrarë në Bulevard ku nuk ka më nevojë për vërtetim, sepse Berisha mburret që i ka vrarë ata katër vetë madje thotë se do kishte vrarë dhe të tjerë. Pa folur më pas për korrupsionin që ka qenë i shpërndarë në çdo qelizë të shoqërisë shqiptare dhe nëse ti nuk ishe klient i Berishës, nuk përfitoje nga pasuria publike, nga tenderat dhe nga PPP e famshme. Njeriu që i kritikon ato sot, është njeriu i cili i ka krijuar ato dhe sot e kësaj dite janë ata njerëz që vazhdojnë t’i trashëgojnë PPP e famshme. Të gjitha këto bëjnë që veshja morale e Berishës të jetë copë-copë dhe njerëzit nuk besojnë që ky njeri mund të sjellë ndryshimin dhe mund të luftojë korrupsionin apo të ngrejë një shoqëri ku vlerësohet vota e lirë.
Në fund të fundit edhe në zgjedhjet brenda partisë së tij ku po shkatërron strukturën, tregoi që nuk ka asnjë respekt për votën e lirë. Së dyti, vijmë tek ndjekësit e Berishës. Neve kemi parë që Berisha po përpiqet të shfrytësojë aksidente, vrasje, vdekje për të ngjallur një revolucion. Në kohët e sotme, të globalizmit, ku njerëzit shikojnë çfarë ndodh në botë dhe çfarë ndodh në Shqipëri, kjo e bën të vështirë që Berisha të manipulojë faktet dhe të ngjallë një revoltë popullore. Aq më tepër kjo revoltë është e iniciuar nga një person që ka vrarë katër veta në bulevard kurse aleati i tij, Meta i quante demonstruesit kokëpalarë.”, u shpreh zoti Hila nw Dritare TV./m.j