Zëvendëskryeministrja dhe njëherësh ministrja e Energjsië dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku është takuar me administratorët e energjsië, të cilët janë vendosur në çdo institucion në kuadër të masave për të kursyer energjinë.
Balluku tha se Shqipëria është e detyruar të importojë dhe kjo ka qenë një problematikë e mbartur ndër vite.
“Qeveria shqiptare ka nisur prej kohësh një program i cili ka të bëjë me mburojën sociale për abonentët familjarë, bizneset e vogla dhe të mesme. E kemi nisur kur filloi kriza e çmimeve. Në vitet e mira hidrike ne prodhojmë 70% të energjisë të nevojshme që kërkohet nga tregu shqiptar, pjesën tjetër i drejtohemi importeve. Kjo ka qenë një problematikë e mbartur ndër vite”, tha Balluku.
Zv/kryeministrja shtoi se institucionet shtetërore duhet të jenë të parat që japin shembullin në kursimin e energjisë.
“Ne duhet të jemi të parët që duhet të japim shembullin. Prandaj kemi marrë zotim që të ulim konsumin me 15%, si direktiva e BE. Si do ta krahasojmë këtë ulje? Kjo ulje do të krahasohet me faturën e një viti më parë dhe jo shumës në para, por konsumit të kilovatorëve. Nëse ulim këtë konsum me 15%, do të ulim 1% të konsumit të vendit, që janë 30-34 milionë euro”, tha zv/kryeministrja.
Balluku bëri gjithashtu me dije se në rast se nuk do të ketë reagim nga institucioni, do të ketë gjoba, të cilat shkojnë në llogari të titullarit.