Nga Guy Adams, Daily Mail
Udhëtimi i jashtëzakonshëm që e çoi Rishi Sunak në ‘Downing Street’ nuk nisi në Spitalin e Përgjithshëm në Southampton, ku ai erdhi në jetë 42 vjet më parë, por në një rrethore të zhurmshme në autostradën A35, as një gjysmë milje larg.
Këtu, përballë një Sainsbury’s Local, do të gjesh një radhë dyqanesh me tulla të kuqe që sot përbëhen nga një furrë, një parukier, një sallon thonjsh, një dentist, dhe një dyqan qosheje modest me një logo blu të NGS dhe një orë të madhe në formë katrore mbi derën kryesore.
Ky dyqan i vogël për disa dekada quhej ‘Farmacia Sunak’. Drejtohej nga nëna e Rishit, Usha, deri sa doli në pension pak vjet më parë. Ishte një biznes krejt familjar, ashtu si shumë biznese të vegjël të suksesshëm.
Gjatë viteve të adoleshencës, kryeministri i ardhshëm i kalonte fundjavat duke shpërndarë me biçikletë ilaçet te klientët. Dhe pasi zgjodhi të studionte për ekonomi, nisi të mbante edhe llogaritë.
Lëvizim me shpejtësi 25 vjet në të ardhmen dhe tashmë e dimë se si shkuan gjërat. Ai djali i zgjuar i imigrantëve indianë të brezit të dytë sot zgjohet si Kryeministri i ri i Mbretërisë së Bashkuar të Britanisë së Madhe dhe Irlandës së Veriut.
Pasi ka arritur famë tashmë e ka grumbulluar pasuri të konsiderueshme, ai sheh në duart e tij një fuqi të madhe: drejtimin e më të respektuarës nga demokracitë evropiane ku gjyshërit e tij erdhën rreth 60 vjet më parë duke pasur thuajse asgjë me vete.
Ashtu si çdokush që çan përmes xhunglës së politikës, Rishi Sunak arriti deri këtu përmes një kombinimi talenti, pune të madhe e fati – pa harruar këtu edhe arsimimin e shkëlqyer për të cilin ndihmoi suksesi i ‘Sunak Pharmacy’.
Shumë mund të thonë se mbërritja e tij në Nr. 10 në Downing Street, me gruan Akshata, vajzat Krishna e Anoushka, dhe qenin e racës labrador Nova, shënon një moment domethënës në historinë tonë kombëtare.
Së pari, flet shumë për trashëgiminë e një tjetër fëmije shitësi (dhe kryeministre konservative), të quajtur Margaret Thatcher, të cilën Sunak e citon shpesh si modelin e tij politik.
Së dyti, ngjitja e tij politike, e arritur në vetëm shtat vjet që kur arriti në Westminster si deputet, e përgënjeshtron pretendimin toksik, popullor në klasat llafazane sidomos në vitet pas Brexit, se Mbretëria e Bashkuar është një farë bataku racist.
Në fakt, ne jemi vendi i parë i madh evropian i udhëhequr nga një politikan jo i bardhë. Dhe një nga të paktat demokraci perëndimore ku një Hindu, i cili e bën betimin në parlament mbi Bhagavad Gita, libri i shenjtë sanskrit, mund të shpresojë që një ditë të drejtojë qeverinë.
Historia e familjes nis me Sraksha, nëna e Ushës, gjyshja e Rishit, një grua e rrallë që u rrit duke folur Swahili në një kasolle të largët në Tanzani, ku jetonte një komunitet i vogël Punjabi.
Më 1966 ajo mori vendimin e guximshëm të shiste stolitë e martesës për të blerë një biletë vetëm vajtje për në Angli.
Udhëtoi vetëm, duke lënë pas burrin e fëmijët, shkoi në Leicester, ku gjeti punë si llogaritare. Një vit më pas, kishte kursyer mjaftueshëm sa për të marrë edhe pjesën tjetër të familjes.
Usha, nëna e Rishit, mësonte shumë në shkollë dhe fitoi një të drejtë studimi në Aston University, ku studioi farmaci. Më pas u takua me Yashvirin, student mjekësie, përmes miqve të familjes. U martuan më 1977, u zhvendosën në Southampton, ku bënë tre fëmijë: Rishin, më i madhi, dhe një djalë tjetër, Sanjay, tani psikolog e neuropsikolog, dhe vajzën Raakhi, e cila punon në OKB.
Si shumë familje imigrantësh, Sunakët besonin shumë te rëndësia e madhe e arsimimit për ndryshimin e jetës së tyre. Me suksesin e farmacisë, plus të ardhurat e Yashvirit si mjek, ata ishin në gjendje t’i çonin fëmijët në shkolla të mira private.
Tifoz gjatë gjithë jetës me Southampton FC, dhe adhurues i yllit të skuadrës Matt Le Tissier (një Brexiteer i njohur), Rishi duket se flirtoi për herë të parë me Euroskepticizmin si adoleshent, kur shkroi në revistën e shkollës Winchester, “The Wykehamist”, për “retorikën e re laburiste” që tingëllonte “shqetësueshëm pro-evropiane”.
Pasi mbaroi shkollën, kaloi një verë pushimesh duke punuar si kamerier në Kuti’s Brasserie, restorant indian buzë detit në Southampton. Më pas shkoi në Lincoln College, në Oxford, ku u diplomua në filozofi, politikë dhe ekonomi.
Në intervista, Sunak thotë se nuk ka përdorur kurrë drogë, madje as nuk ka thithur ndonjëherë cigare. Teksa këmbëngul se nuk ka qenë tepër i dhënë pas lokaleve, thotë se vishej me komplet tutash në fëmijëri e më pas shkonte shpesh në klube nate.
Adhurues i çmendur i Star Wars dhe i filmave të hershëm me James Bond, Rishi është i dhënë pas pajisjeve elektronike (përfshirë edhe atë filxhanin e kafes me vetë-ngrohje, që kushton 180 paund, me të cilin është fotografuar njëherë).
Pas Oxfordit, ai zuri një vend pune të mirë në Goldman Sachs dhe u vendos në Londër, ku bleu një apartament 210 mijë paund në South Kensington, me ndihmë nga prindërit. Pas tre vjetësh atje, më 2005 fitoi një bursë Fulbright për të studiuar për MBA në Stanford, Kaliforni.
Atje, në moshën 24 vjeç, syri i kapi studenten Akshata Murthy, e madje ndryshoi edhe orarin e leksioneve për të qenë në klasë me të. Meqenëse Rishi është vetëm 167 centimetra i gjatë (çka e bën kryeministrin më të shkurtër që nga Churchill) marrëdhënia e tyre kërkonte ca sakrifica nga ana e saj.
“Jam jashtëzakonisht mirënjohës që 18 vjet më parë ti zgjodhe të hiqje dorë nga takat e larta dhe provove shansin me djalin e shkurtër me çantë shpine”, janë fjalët e tij kohët e fundit që mund ta shpjegojnë marrëdhënien e tyre.
Akshata vjen nga familje aristokrate biznesi indiane. Babai i saj është Narayana Murthy, miliarder që shpesh quhet Bill Gates i Indisë, i cili themeloi kompaninë software Infosys në fillim të viteve ’80 dhe tani është njeriu i gjashtë më i pasur i vendit. Në dasmën e saj me Rishin më 2009, që zgjati dy ditë, ishin një mijë të ftuar e shumë të njohur. Pak pas martese, çifti u vendos në Santa Monica, Los Angeles, ku Rishi (që tashmë kishte kaluar disa vite mjaft fitimprurës duke punuar në hedge funds) ndihmoi në krijimin e një firme investimesh të quajtur Theleme Partners.
Ata ende kanë një shtëpi atje, me vlerë 5.5 milion paund, me pamje nga oqeani, ku kalojnë shpesh pushimet.
Ajo është pjesë e një portofoli pronash që tashmë përfshin shtëpinë me vlerë 7 milion paund në Kensington, një apartament 1 millon paund në Brompton Road dhe një shtëpi 1.5 milion në zonën elektorale të Sunakut në Yorkshire, të cilën çifti e bleu pasi ai fitoi vendin që mbahej nga William Hague në zgjedhjet e vitit 2015.
Këtu qëndron ndoshta dobësia më e madhe politike e Sunakut. Sepse pavarësisht historisë së jetës së familjes së tij që kaloi nga leckat te luksi, pa përmendur zotësinë e tij intelektuale dhe etikën e fortë të punës, pasuria e madhe shpeshherë shkakton dhimbje koke për sa iu përket marrëdhënieve me publikun.
Për shembull, që nga momenti që vendosi t’i përkushtohej plotësisht politikës, pasi bëri ca punë vullnetare për partinë teksa themelonte Theleme, stili i shtrenjtë në veshje nisi të dilte në titujt e lajmeve.
Pasi mori role ministrore, u bë gjë e zakonshme për të. Seksioni i modës i The Guardian një herë i dedikoi një faqe për të ashtuquajturën “hedge fund haute couture”.
Këtë vit, shkaktoi ngritje vetullash kur shkoi me këpucë Prada në një kantier ndërtimi në Teesside. Ato kushtojnë 490 paund, më tepër se paga mesatare javore në atë zonë.
Para ca kohësh, kur Sunak ishte Ministër i Thesarit, u zbulua se Akshata kishte shmangur në mënyrë të ligjshme pagimin e taksave për të ardhurat jo-britanike, përfshirë dividendët nga aksionet e saj në Infosys, me vlerë miliona në vit.
Sunak u dëmtua edhe nga zbulimi se e kishte mbajtur ‘green card’ amerikane, e cila i jep të drejtën të jetojë e punojë në Amerikë, ndërkohë që shërbente si kancelar në Britani. Kur merr green card, supozohet ta bësh SHBA shtëpinë e përhershme.
Pas debateve, Akshata ra dakord të niste të paguante taksat britanike për të gjitha fitimet e saj në botë. Sunak u mërzit shumë që familja e tij u bë subjekt i vëmendjes negative dhe sipas disa miqve ishte fare pranë largimit nga politika.
Familja e tij u largua nga banesa në Downing Street. Megjithatë, ai këmbënguli se nuk kishte të bënte me atë që kishte ndodhur. Gjithçka ishte për shkak të faktit që vajza më e madhe, Krishna, ishte në semestrin e fundit të shkollës fillore dhe duhej të shkonte vetë në shkollë çdo ditë.
Krishna tani besohet të jetë në shkollë me konvikt, çka do t’u japë edhe më tepër shkaqe kundërshtarëve për ta portretizuar kryeministrin Sunak si elitist jashtë prekjes njerëzore.
Sunak do të kundërpërgjigjet me stilin e tij të paimitueshëm. Para pak muajve postoi dy foto në Twitter. Njëra e tregonte si nxënës të vogël, me pantallona deri te gjunjët, në pragun e shtëpisë; tjetra, e kohëve të fundit, e tregonte me kostum e kollare në pragun e Downing Street, Nr 10.
“Duke u rritur, nuk e mendoja kurrë se do të isha në këtë punë (kryesisht sepse doja të bëhesha Jedi)”, shkruante. Sido që të përfundojë historia e Rishi Sunak, Forca pa dyshim që ka qenë me të.