Raketat ruse dhe sulmet me dronë të prodhuar në Iran kanë shkatërruar mbi një të tretën e sektorit të energjisë së Ukrainës, tha presidenti Volodymyr Zelensky, gjatë një konference më 25 tetor lidhur me rindërtimin e Ukrainës.
“Rusia po shkatërron gjithçka, prandaj është shumë e vështirë për ne që ta kalojmë dimrin”, tha Zelensky teksa iu adresuar përmes video-lidhjes konferencës në Berlin.
Në këtë konferencë morën pjesë kancelari gjerman, Olaf Scholz, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë.
Von der Leyen tha se sulmet ndaj infrastrukturës civile të Ukrainës përbëjnë “akt të pastër të terrorizimit”. Ajo tha se shkalla e shkatërrimit të Ukrainës është “tronditëse”, teksa Banka Botërore vlerëson se dëmi total ka arritur në 350 miliardë euro.
Presidentja e KE-së tha se duhet të lansohet një platformë koordinuese për rindërtimin e Ukrainës “sa më shpejt që të jetë e mundur, mundësi para fundit të vitit apo në fillim të vitit të ardhshëm”.
Gjatë konferencës, Scholz deklaroi se sulmet e vazhdueshme ruse me dronë paraqesin një pikë të re të ulët të luftës së Moskës kundër Ukrainës, por edhe një shenjë të dëshpërimit të Moskës.
Scholz tha se rindërtimi i Ukrainës është një “detyrë brezash” dhe duhet të nisë menjëherë, edhe kur po vazhdon pushtimi rus.
“Këtu bëhet fjalë për krijimin një Plani të ri Marshall për shekullin e 21-të – një detyrë brezash që duhet të nisë tani”, tha ai.
Megjithatë, Zelensky tha se Ukraina ende nuk ka pranuar “asnjë cent” për planin e rindërtimit të shpejtë, që është në vlerë prej 17 miliardë dollarësh.
Ai po ashtu i kërkoi komunitetit ndërkombëtar që të mbulojë deficitin buxhetor për vitin e ardhshëm, që pritet të jetë 38 miliardë dollarë.
Ndërkaq, ministri i Komuniteteve dhe Zhvillimit të Territoreve të Ukrainës, Oleksiy Chernyshov, tha se rindërtimi i Ukrainës duhet të nisë tani, kur luftimet po vazhdojnë./rel
/a.r