Nga Mero Baze
Ndërsa presidenti ka caktuar 14 majin si ditë të zgjedhjeve lokale, problemi më i madh që ka opozita është mosbesimi që ngjall brenda saj Sali Berisha. Përkundër përpjekjeve të Berishës për të bërë sikur do të bashkojë opozitën , brenda saj nuk është problem bashkimi, por bindja se dhe bashkimi nuk bën punë me Berishën.
Nëse vëren deklaratat e aleatëve kryesorë formalë të Berishës në opozitë, pas shpalljes së zgjedhjeve, e kupton se të gjithë aleatët e Berishës po përpiqen se si të mos dëmtohen nga Berisha, dhe jo si të fitojnë zgjedhjet.
Më i shquari në këtë pikë është Ilir Meta/Metaj. I bindur se zgjedhjet janë një betejë e humbur, ai ka zgjedhur t’i ofrojë Berishës moskandidimin në asnjë bashki, që të mos ndajë faturën e humbjes, por garë vetëm për këshillat bashkiakë.
Në një farë mënyre ai kërkon të krijojë një rezervë votash të cilën ta ketë si presion për zgjedhjet e radhës parlamentare, duke bërë sikur i ofron Berishës të gjitha bashkitë, që ai ta tolerojë në grumbullimin e votave proporcionale.
Por në thelb, ky akt i Ilir Metës është shenja më e fortë e mosbesimit që ai ka për “fitore” me Berishën. Në zgjedhjet e vitit 2011, LSI i pat marrë Berishës 20 për qind të kandidatëve për kryetarë bashkie në gjithë vendin, ndërsa Edi Ramës më 2015, 30 për qind të kandidatëve për kryetarë bashkie, i bindur se mund t’i fitonte bashkë me ta. Edhe pse në shumicën e tyre LSI humbi, përjashto Gjirokastrën, Beratin dhe Skraparin, ajo u konsolidua ndjeshëm në gjithë vendin.
Tërheqja e Metës/Metaj nga gara për kryetarë nuk është shenjë tolerancë për Sali Berishën. Përkundrazi, është shenjë e fortë mosbesimi, se kjo është një garë e humbur dhe ai do të jetë fituese vetëm aty ku garon, në këshillat bashkiakë.
Meta/Metaj bëhet kështu Kasandra e parë e zgjedhjeve lokale për opozitën.
Por po të vëresh dhe deklaratat e Dashamir Shehit apo Agron Dukës, e kupton se në opozitë mbretëron zija e humbjes. Shehi thotë se Berisha ka më shumë halle se opozita dhe nuk duhet ta udhëheqë atë, ndërsa Duka thotë se nëse nuk gjendet gjuha, nuk do kandidojnë fare.
Pra ajo që ka bërë Sali Berisha si lider i opozitës me rikthimin e tij, është që ka çmobilizuar totalisht opozitën dhe u ka mbushur mendjen të gjithëve për humbjen.
Duke mos pasur fuqi të riorganizohen jashtë Berishës, secili po përpiqet të gjejë një mënyrë të mos marrë përgjegjësi për humbjen. Dhe shenja më e keqe e tyre është sjellja e Ilir Metës, i cili njësoj si ato hienat që ndjejnë erën e kërmës, po vrapon të hajë mishin e mbetur në kockat e PD, duke ja lënë fajin për vdekjen e saj, Sali Berishës.