Jennifer Chollet fitoi lirinë pas 8 muajve qëndrimi në qelitë e burgut të grave në Tiranë. 39-vjeçarja e lindur në Monako u arrestua në kryeqytet, ku drejtonte një kompani zvicerane investimesh dhe u akuzua e gjykua si bashkëpunëtore e një kamerunasi që tentoi të fusë në Shqipëri 1.2 mln euro të falsifikuara.
Të premten Gjykata e Tiranës rrëzoi akuzat ndaj saj dhe e deklaroi të pafajshme. Por edhe për Jenifferin, drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar.
“Drejtësia në Shqipëri është shumë e mirë, por është shumë e ngadaltë. Kjo është fatkeqësi, pasi mund të ishte më e shpejtë. Mbase kanë shumë çështje, por them që ata duhet të riorganizohen, ta bëjnë atë më të shpejtë”.
Sipas saj, shqiptarët duhet t’i besojnë drejtësisë.
“Patjetër që duhet. Duhet ta bëjnë. Vetëm se shkon shumë gjatë. Ata duhet ta bëjnë më të shkurtër sepse kur je i pafajshëm dhe je në burg është e tmerrshme. Po, ata duhet të besojnë në drejtësi, por duhet të jenë të duruar. Durim, pasi është një rrugë e mirë në drejtësinë shqiptare. Unë ia dola, e vërteta doli”, tregon Jennifer.
Nga ana tjetër, në qelitë e paraburgimit, 39-vjeçarja ka dëgjuar për historitë e korrupsionit, për të dënuar që kanë paguar për të fituar lirinë.
“Ende ekziston këtu. Nuk mund të themi që gjithçka është e pastër. Unë pata gjyqtarë shumë të mirë dhe më nxorën pa paguar. Kur dëgjova gjëra të tilla, pagesa, unë uroj që kjo të mbarojë, pasi nuk ka sens, që dikush që nuk ka bërë gjë, që është i pafajshëm të paguajë”.
Jennifer ka hedhur pas krahëve ditët e vështira të qelisë dhe tregon me të qeshur ditën e parë të lirisë.
“Ffff… c’te them? Ditën e parë unë hengra peshk, sepse nuk lejohet te hash peshk në burg”.
Plani i saj më i shpejtë është takimi me familjarët në Monako e më pas rikthimi në Shqipëri.
“Erdha këtu për të ndërtuar një kompani të madhe. Të krijoj projekte dhe t’i realizoj, pasi mendoj se ky është vend në zhvillim. Takova njerëzit e gabuar, të cilët mbase donin të fusnin para false në Shqipëri, por as dija e as kisha lidhje me këtë. Sigurisht që do të kthehem, e dua Shqipërinë”.
Fatin e Jennifer nuk e patën dy të bashkëpandehurit e saj, të cilët u dënuan me nga 6 vjet burg për “falsifikim të monedhave”.
/a.r