Nga Blendi Kajsiu
Debatet e fundit politike si në gjirin e opozitës por edhe jashtë saj kanë forcuar idenë se demokracia në thelb është respektimi i vullnetit të shumicës. Berishistët argumentojnë se Berisha kish të drejtë të kthehej në krye të PD-së dhe të mbetet aty pafundësisht për sa kohë ka mbështetjen e shumicës së antarëve të partisë. Sipas të njëjtës llogjikë mbështetësit e Ramës argumentojnë se në PS nuk mungon demokracia për sa kohë kryetari i saj ka mbështetjen e shumicës absolute të antarësisë.
Ajo që e diferencon diktaturën nga demokracia është se në të parën shumicat janë të pandryshueshme në të dytën të përkohëshme. E thënë ndryshe një demokraci përkufizohet nga mundësia që i jep një pakice të transformohet në shumicë dhe ansjelltas. Këtu hyn në lojë procedurat dhe standartet demokratike (liria e fjalës, zgjedhjet e nderëshme, garancitë demokratike, etj) që shërbejnë pikërisht për të garantuar që pakica e sotme mund të transfomrmohet në shumicën e nesërme. (Pikërisht këtu sovraniteti popullor dhe procedura demokratike shkrihen në një sikurse argumenton Habermasi, llogjikën e të cilit po ndjek në këtë shkrim)
Në demokraci nuk ka shumica të përjetëshme por vetëm të përkohëshme. Në diktaturë shumicat janë të ngrira, në demokraci ato janë fluide. Duhet të kujtojmë se kur komunistët shqiptar erdhën në pushtet, pavarësisht manipulimit që i bënë zgjedhjeve demokratike të vitit 1945, ata kishin mbështetjen e shumicës së elektoratit. Ama me të marrë pushtetin regjimi komunist mori çdo masë që pakica politike të mos transformohej kurrë në shumicë, duke e eleminuar dhe persektuar atë edhe fizikisht. I gjithë regjimi komunist shqiptar bazohej te krijimi dhe ngrirja e një shumice pro-regjim dhe tek eleminimi i çdo mundësie që pakica anti-komuniste ose jo-komuniste një ditë të bëhej shumicë.
Dhe ia arriti qëllimit me shumë sukses. Diktatura komuniste gëzonte mbështetjen e shumicës së popullatës deri në ditën e fundit të ekzistencës së saj. Duhet të kujtojmë që në zgjedhjet e para pluraliste post-komuniste të 31 Marsit të vitit 1991 Partia e Punës fitoi shumicën dërrmuese të votave (67,6%). Ajo që nuk mundi të bënte PPSH-ja ishte ta mbante këtë shumicë duke eleminuar pakicën, siç kish bërë gjatë gjithë regjimit komunist. Ndaj shumë shpejt kjo shumicë u transformua në pakicë në zgjedhjet parlamentare të vitti 1992.
Nëse e kuptojmë demokracinë si transfromimin e vazhdueshëm të shumicave në pakicë dhe anasjelltas, atëherë është e thjeshtë të kuptojmë se në PD edhe PS nuk ka demokraci edhe pse liderët e tyre gëzojnë mbështetjen e shumicës. Në të dyja rastet kemi të bëjmë me shumica të ngrira, ashtu sikurse në diktaturën komuniste.
Nuk ka dyshim që Berisha gëzon mbështetjen e shumicës së militantëve të PD-së. Në fakt e ka gëzuar që kur u bë kryetar i saj para 30 vitesh. Dhe pikërisht ky është problemi. Në PD kemi një shumicë berishiste që ka 30 vite që nuk ndryshon dhe që kurrë nuk do ndryshojë për sa kohë kryetar të jetë Berisha.
Problemi nuk është mungesa e një pakicë anti-berishistë që mendon ndryshe. Kjo edhe mund të tolerohet nga berishizmi në varësi të hallit të radhës. Ajo që është e patolerueshme është transformimi i saj në shumicë për sa kohë të jetë gjallë doktori. Ndaj çdo zë apo grupim që rrezikon shumicën berishiste shpallet “armik, tradhëtar, zagar apo peng”. Në këtë aspekt PD-ja sot i ngjan shumë PPSH-së dje.
E njëjta gjë vlen edhe për PS-në e Ramës. Aty problemi nuk është thjesht mungesa e një pakicë që mund të mos jetë dakord me Ramën. Zëra të tillë ka dhe ndoshta edhe mund të artikulohen apo edhe tolerohen si fasadë demokracie. Problemi është që Rama ashtu sikurse edhe Berisha (ndonëse jo me brutalitetin e këtij të fundit) ka ndërtuar një parti ku pakica nuk ka shans të transformohet në shumicë jashtë vullnetit të kryetarit. Në këtë aspekt PS-ja sot është edhe më pak demokratike se PD-ja, ku si pasojë e çarjes pakica jo-berishiste është më e fortë se kurrë më parë.
Në të dyja rastet kemi të bëjmë me shumica të ngrira që edhe kur krijohen në mënyrë demokratike dhe me votë ruhen në mënyrë diktatoriale. Transformimi i kundërshtarit politik në armik dhe shkatërrimi i procedurave dhe proceseve demokratike është mënyra se si riprodhohet pafundësisht e njëjta shumicë. Injorimi apo mos-mbledhja e forumeve, mos-bërja e zgjedhjeve në mënyrë periodike, dobësimi apo eleminimi i institucioneve të partisë, nënshtrimi i grupit parlamentar, atrofizimi i degëve të partisë dhe i antarësisë, procese elektorale pa kredibilitet, janë të gjitha mekanizma që pamundësojnë formësimin gradual të shumicave alternative.
Në këtë drejtim partitë tona politike janë shumë larg simotrave të tyre në Evropë. Mjafton të shikojmë se si funksionon një nga partitë e djathta më të rëndësishme në Evropë siç është Partia Konservatore Britanike. Aty shumicat lehtësisht zëvendësojnë njëra-tjetrën, shpesh në mënyrë marramendëse për realitetin tonë politik. Mbështetësit e Boris Johnson dhe krahu i Brexit ishin një pakicë dje, por gradualisht u transformuan në shumicë, për tu reduktuar përsëri në pakicë me ardhjen në krye të Partisë Konservatore të Liz Truss. Shumica që solli në pushtet zonjën Truss shumë shpejt u transformua në një pakicë duke e detyruar atë të dorëhiqet.
Përballë lehtësisë me të cilën pakicat transformohen në shumica në vendet dhe partitë fqinje ngrirja e shumicave brenda partive tona politike është tronditëse. Është një ngrirje që tashmë po paralizon të gjithë sistemin tonë politik. Vështirësia e transformimit të shumicave brenda partive politike shumë shpejt do prodhojë ngrirjen e shumicës dhe pakicës tek elektorati shqiptar në përgjithësi. Shumica e ngrirë berishiste në PD legjitimon ngrirjen e shumicës ramiste në PS. Nëse nuk shfaqen aktorë të rinj politikë një situatë e tillë do riprodhojë nesër të njëtën shumicë elektorale që ekziton sot dhe që u krijua dje.
*Titulli origjinal: Demokracia si shumica të përkohëshme