Nga Eduard Zaloshnja
Fjala “inat” është më e rëndësishmja në Ballkan. Kështu e fillon Misha Glenny librin e tij mbi historinë e dy shekujve të fundit të gadishullit tonë. “Arrnaut inat” është shprehja që ka mbetur në të folmen e turqëve qysh nga koha kur tokat shqiptare ishin pjesë e Perandorisë Osmane. Inat opozitar, është një shprehje që ndoshta vlen të futet në të folmen e sotme të shqiptarëve…
Në çerek shekullin e fundit, kur qeveritë shqiptare nuk janë rrëzuar më me greva të përgjithshme (si më 1991), apo me revolta (si më 1997), ka patur gjithnjë akumulim dramatik inati në popullin opozitar ndaj atij që ka qenë në krye të pushtetit për shumë vite.
Kështu, para rrotacionit të 2005-sës, inati i opozitarëve ndaj kryeministrit arrogant Nano ishte aq i madh, saqë risolli në pushtet Berishën (të cilit i ishte shkërmoqur shteti i kryesuar prej tij vetëm 8 vjet më parë).
Aq i madh ishte inati i opozitarëve ndaj kryeministrit arrogant Berisha para rrotacionit të 2013-ës, saqë e kapërdinë koalicionin që bëri Rama me Ilir Metën (i cili i kishte quajtur kokëpalarë dy vjet më parë).
Aq i madh ishte inati i opozitarëve ndaj kryeministrit arrogant Rama më 2021, saqë pothuaj 800 mijë votuan për partitë e ndryshme opozitare (edhe pse në krye të opozitës ishte një udhëheqës jofrymëzues si Basha). Natën e 25 prillit të vjetshëm, pas exit poll-it të Baton Haxhiut në Top Channel, opozitarëve iu duk se e realizuan rrotacionin, por numërimi faktik i votave i la prapë në opozitë…
Dhe vijmë në ditët e sotme.
Nga ekstrapolimi i përafërt i një sondazhi që zhvillova javën e shkuar, më rezultoi se rreth 715 mijë shqiptarë janë të prirur të votojnë për kryebashkiakë opozitarë, pavarsisht se nuk e dinë ende se cilët mund të jenë kandidatët (vjet pothuaj 800 mijë votuan për partitë e ndryshme opozitare në zgjedhjet parlamentare).
Përderisa shumë të anketuar më deklaruan në sondazh se janë të prirur të votojnë për kryebashkiakë opozitarë, edhe pse ende s’i dinë emrat e kandidatëve, një motivacion të fortë duhet ta kenë. Dhe gjasat janë që në themel të këtij motivacioni duhet të jetë inati opozitar ndaj mazhorancë së kryesuar me arrogancë nga Rama. Në fakt nga bisedat që më rastis të bëj me opozitarë të thjeshtë apo nga komente të opozitarëve të thjeshtë nëpër portale e media sociale, ky inat është mëse i prekshëm.
Por a do mundin udhëheqësit e opozitës ta kanalizojnë këtë inat opozitar në vota për kandidatë të përbashkët për kryebashkiakë?
Në qoftë se kandiatët do të dalin nga një proces që do të perceptohet si favorizues ndaj beniaminëve të Foltores, ekziston që mundësia që opozita ta pësojë nga një inat edhe më i madh – inati brenda familjes. Në qoftë se procesi i përzgjedhjes i jep shanse reale edhe fraksionit jofoltor si dhe ndonjë partie të vogël opozitare aty këtu, kandidatët e përbashkët mund të përfitojnë nga prirja e 715 mijë opozitarëve për t’i votuar ata dhe ndoshta mund të tërheqin edhe vota të tjera.
Sepse do t’i duhen sa më shumë vota përballë murit 800-mijësh që do t’u ngrejë mazhoranca më 14 maj, si dhe përballë ndarjes teritioriale që favorizon apriori mazhorancën…