“Çfarë ju pengon të bashkoheni?”, kjo është pyetja me të cilën drejtuesi i emisionit “Opinion” Blendi Fevziu ka nisur bisedën përmes lidhjes live me Kryetarin e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Edi Paloka.
Kësaj pyetje, Paloka i është përgjigjur se janë në bisedime me deputetët e tjerë të Partisë Demokratike, në thelb të së cilave është “dalja në zgjedhjet lokale me një kandidat”.
Edi Paloka: Këto bisedime kanë një objektiv: Dalja në zgjedhjet lokale me një kandidat. Shpresoj se duke qenë një ndër njerëzit që është përpjekur që të mos përçahet PD, kjo ka qenë pikërisht arsyeja pse Berisha ma kërkoi 2 herë që të isha unë personi që të diskutoja me kolegët. Vullneti është i 2-anshëm për të shkuar. Ne duhet të përcaktojmë modalitetin si të dalim me një kandidat të përbashkët dhe fitues. Po flas për modalitet, vullneti politik është, ne jemi brenda një parti, po të ishim 2 parti do të bisedonim në nivel aletatësh.
Kryetari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Paloka ka theksuar se mbështet një aleancë të mundshme të Partisë Demokratike në zgjedhjet e ardhshme lokale me Partinë e Lirisë.
Edi Paloka: Sa më shumë të jemi, aq më mirë është se jemi në një opozitë të vështirë. Pasojat e së shkuarës janë, por kur hyn në bisedime nuk diskutohet e shkuara. Shpresoj se ky do të jetë një hap i parë që do të çojë në bashkim.
Një aleancë e mundshme e Partisë Demokratike në zgjedhjet e ardshme lokale me Partinë e Lirisë është mbështetur dhe nga deputeti i PD-së Gazment Bardhi në një lidhje direkte me emisonin “Opinion”.
Gazment Bardhi: Ne duhet të sigurojmë bashkëpunimin e PD, në një front të gjerë opozitar, të jemi pro me çdo faktor që është kundër qeverisjes së Ramës. Kjo është arsyeja pse mekanizimi në PD duhet të jetë gjithpërfshirës që të kemi një kandidat të vetëm, fitues të opozitës ose të gjithë pjesë së shoqërisë që janë kundër Ramës.
Kryetari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Paloka është shprehur se kërkohet bashkimi brenda grupeve të Partisë Demokratike dhe po ashtu një aleancë në frontin e shpërtimit të Shqipërisë, ku sipas Palokës do të jetë “çdo grup forcë dhe individ që mendon se ka ardhur koha që kjo qeveri të shporret”.
Edi Paloka: Ne e kemi kaluar një vit të vështirë. E rëndësishme është sot të përcaktojmë se çfarë do të bëjmë tani. Jemi koshientë se pa u bashkuar, fuqia jonë përballë një qeverie manipulatore, mbase nuk do të diskutohej për fitore. Kërkojmë bashkimin brenda grupeve të PD, por dhe një aleancë në frontin e shpëtimit të Shqipërisë, ku do të jetë çdo grup forcë dhe individ që mendon se ka ardhur koha që kjo qeveri të shporret.
/a.r