Deputetja e PD-së Jorida Tabaku deklaroi se bordi i karburanteve po cakton çmimet siç duan oligarkët. Sipas saj, ERE është kthyer në noter të qeverisë.
“Fatkeqësisht, nga eksperienca ime në ERE, kur u vendos nga qeveria rritja e çmimit me pesë herë për konsumatorët mbi fashën 800 kilovat orë, konstatova se ERE po votonte siç dëshironte qeveria.
Madje, ndërsa dëgjoja anëtarët e fortnderuar të bordit të ERE m’u duk sikur dëgjoja drejtorët e drejtorisë së Ministrisë së Energjetikës dhe jo njerëz të votuar nga ky parlament për të mbrojtur interesin publik. Pra, ERE qe shndërruar në një drejtori brenda zyrës së ministrisë apo në varësi të kryeministrisë,” – u shpreh Tabaku.
Ajo shtoi se ky ent duhet të mbrojë qytetarin pavarësisht partisë në pushtet, ndërsa theksoi se fatura e dështimeve, korrupsionit dhe paaftësisë nuk mund t’u ngarkohet qytetarëve.
/s.f