Javën e kaluar, makina fluturuese kineze XPeng X2 përfundoi me sukses fluturimin e parë publik testues me dy vende në ekspozitën e teknologjisë GITEX në Dubai.
XPeng X2 ngrihet vertikalisht nga toka duke përdorur tetë helikë, pa pasur nevojë për një pistë dhe për këtë arsye është i përshtatshëm për zonat urbane. Automjeti, i projektuar për të transportuar dy pasagjerë, është plotësisht elektrik dhe prodhuesit e tij thonë se mund të ngrihet në ajër me rreth dy metra në sekondë dhe të arrijë shpejtësi deri në 80 milje në orë, shkruan CNN.
Megjithëse fluturimi testues zgjati vetëm 90 sekonda, sipas Liu Xinyin, specialisti kryesor i aviacionit në XPeng Aeroht, teknologjia është afër gatishmërisë për përdorim publik, por rregulloret rreth makinave fluturuese janë ende shumë larg.
XPeng planifikon të punojë me qeveritë për të krijuar një infrastrukturë rregullatore fizike për makinat fluturuese në zonat urbane dhe Liu beson se njerëzit do të jenë në gjendje të përdorin makinat fluturuese brenda hapësirave të kufizuara të rregulluara në vetëm pesë vjet. Kjo përputhet mjaft mirë me planet ambicioze të qeverisë kineze për të nisur taksitë fluturuese deri në vitin 2025.
/s.f