Masakra e Bradasheshit, ndodhur në fundvitin 2018, ka sjellë një mori aktesh të rënda kriminale. Për pasojë, vëllai i shënjestrës së atij atentati u vu në krye të një hakmarrjeje të frikshme, që solli shumë viktima mes Elbasanit-Durrësit dhe Brukselit.
Shkak, sipas të dhënave jozyrtare, mendohet të jetë humbja e një sasie të madhe kokaine, diku rreth gjysmë toni, çka solli përgjakjen e madhe mes dy grupeve kriminale. Erion Alibej, vëllai i Endritit, i cili u ekzekutua në atë që njihet si masakra e Bradasheshit, bashkë me xhaxhanë dhe një mikun e tyre turk, u tha se planifikoi eliminimin e çdo personi që kishte marrë pjesë në atë atentat, në mënyrë të tërthortë, por edhe të drejtpërdrejtë. Thuhet se pjesë e sagës së hakmarrjes së tij ishin edhe dy porositë për ekzekutimin e Emiljano Ramazanit dhe shokut të tij Regis Runajt, vrasje që ndodhën në harkun kohor të 9 ditëve, të fundit të muajit korrik 2020.
Ndërsa Ramazani do të ekzekutohej pak pa shkuar në banesën e tij nga një person që përdori një armë pistoletë, vrasja e Regis Runajt, 23- vjeçarit nga Elbasani, mbase është një nga krimet më të rënda të ndodhura në vendin tonë dekadën e fundit. Për vrasjen e tij u pajtuan shokët e tij, të cilët spiunonin për llogari të Alibejt, i cili kishte vënë si person menaxhues të ‘punëve’ Nuredin Dumanin.Në momentin kur autori i vrasjes së Runajt, në një pendesë të fortë për aktin makabër që kishte kryer mbrëmjen e 29 korrikut të para dy vjetëve vendosi të rrëfehej, ngjarjet morën tjetër rrjedhë. U arrestua Erion Alibej, shoku i autorit dhe dolën në dritë detajet rrëqethëse të vrasjeve të kryera brenda 9 ditëve. Por arrestimi i Nuredin Dumanit dhe i Henrik Hoxhës bëri që jo vetëm disa prej ngjarjeve të Elbasanit, më në fund të futeshin në dosjet e prokurorive, por edhe ngjarje të Durrësit, Tiranës dhe disa akteve të ndodhura jashtë vendi.
DJE
Gjykata e Posaçme u tha se pranoi kërkesën e Prokurorisë së Posaçme SPAK për tërheqjen e akteve në ngarkim të Erion Alibejt për procesin që po mbahet ndaj tij, për vrasjen e Emiljano Ramazanit dhe të Regis Runajt. Për zbardhjen e këtyre ngjarjeve fillimisht Prokuroria e Elbasanit ka bashkëpunuar me Euglen Halilin dhe më pas me Xhuljano Hoxhën që kanë treguar se ekzekutimet janë urdhëruar nga Erjon Alibej. Por SPAK ka konstatuar, më në fund, se thëniet e tyre janë të ndryshme nga dy dëshmitarët e tjerë të drejtësisë, Nuredin Dumani dhe Henrik Hoxhaj.
Konstatimi është bërë nga vetë prokurori i çështjes Behar Dibra. Sipas të dhënave, hetuesit kanë kërkuar tërheqjen e akteve pasi hetimet ndaj Erion Alibejt do të vijojnë për ngjarje të tjera dhe se aktet do të bashkohen në një të vetme. Sipas SPAK ka dyshime që Alibej të jetë i përfshirë edhe në ngjarje të tjera kriminale, pasi Policia e Elbasanit pati thënë se 34- vjeçari Erion Alibej ishte organizatori dhe porositësi i dy vrasjeve të ndodhura gjatë muajit korrik të dy viteve më parë në qytetin e Elbasanit, atë të Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt. Por Erion Alibej nuk është një emër i panjohur për drejtësinë, po ashtu edhe vëllai i tij, Indrit Alibej.
SHKAKU I HAKMARRJES TË PËRGJAKSHME
Erion dhe Endrit Alibej mësohet se kanë qenë arrestuar më 4 qershor 2013 nga autoritetet italiane në kuadër të operacionit të koduar “Cocash”. Në raportin e Policisë së Asti-t thuhej se operacioni “COCASH” i ekzekutuar më 4 qershor 2013 shkatërroi dy grupe trafikantësh droge të drejtuar nga shqiptarë me pjesëmarrjen e shtetasve italianë. Dy grupet e goditura nga ky operacion ishin: grupi i përbërë nga 3 shqiptarë, Vexhi Shahinaj, Sajmir Guradeci, aktualisht i burgosur në Francë, dhe Urim Shahinaj, i identifikuar në Shqipëri.
Grupi i dytë i trafikantëve përbëhej nga dy vëllezërit shqiptarë Erion e Endrit Alibej nga Elbasani, pa leje qëndrimi të rregullt në Itali, por banonin në provincën e Astit. Ata administronin një trafik të konsiderueshëm droge të tipit kokainë në territorin e provincës së Astit. Gjatë arrestimit, vëllezërve Alibej u janë gjetur në dy banesat e tyre në Asti, rreth 15 kg kokainë e fshehur, ndërsa në total gjatë operacionit me 15 të arrestuar u dokumentua si pjesë e trafikut 31 kg lëndë narkotike me vlerë mbi 10 milionë euro. Në aktivitetin e tyre kriminal grupi i vëllezërve Alibej përdornin pseudonime të ndryshme ndërsa në gjuhën e kriptuar kokaina identifikohej me fjalën “foto”.
GJYQI NDAJ ALIBEJT
Në fundin e muajit maj të këtij viti, Gjykata e Posaçme nisi shqyrtimin e çështjes ndaj Erion Alibejt dhe dy personave të akuzuar si bashkëpunëtorë të tij në vrasjet e Ramazanit dhe të Runajt. Edhe pse avokati mbrojtës i Alibejt i hodhi poshtë dëshmitë e dy bashkëpunëtorëve të drejtësisë Euglen Halili dhe Xhuljano Hoxha në lidhje me rolet e tyre përkatëse në ato dy ngjarje të rënda kriminale, prokurori Behar Dibra i tha Gjykatës që i qëndron dëshmisë së marrë dhe se për shkak të kësaj çështjeje duhet të thirreshin për të dëshmuar edhe 24 dëshmitarë të tjerë.
Në kohën kur nisi shqyrtimi i çështjes, SPAK sapo kishte kryer operacionin e dështuar Plumbi i Artë, që erdhi pas dëshmisë së Nuredin Dumanit dhe të Henrik Hoxhës. Dëshmitë e tyre bënë që në lojën e rëndë të grupeve të fuqishme kriminale të ishte i përfshirë edhe Erion Alibej si një prej personave më me rëndësi në Elbasan. Për shkak se ngjarjet rrodhën shumë shpejt pas dëshmisë së Dumanit dhe të Hoxhës, SPAK, duke parë qëndrimet që mbanin të pandehurit e procesit, kërkoi që të tërhiqeshin aktet e depozituara në gjykatë për këtë proces dhe të zgjeroheshin hetimet. Fokusi kryesor ka të bëjë me krahasimin dhe ballafaqimin e dëshmive të Dumanit, Hoxhës dhe dy të rinjve nga Elbasanit të cilët kanë pranuar se kanë marrë pjesë indirekte në vrasjen e Ramazanit dhe direkt në aktin makabër të vrasjes së Regis Runajt.
/e.d