Nga Adrian Civici
Sot, për një pjesë të madhe të njerëzve apo bizneseve, Bitcoin dhe kriptomonedhat, ose monedhat digjitale, si dhe praktikat e zhvillimet në sferën e Financave të decentralizuara, konsiderohen jo vetëm si një risi monetare të lidhur ngushtë dhe të orientuar nga zhvillimet marramendëse teknologjike, por edhe si mundësi e potenciale të mëdha në sferën monetare dhe gjithë sistemit të pagesave. Por edhe pikëpyetjet e dyshimet janë të shumta për përmbajtjen, eficencën dhe perspektivën e tyre. Nuk janë të pakta vlerësimet negative për to dhe të ardhmen e tyre, për paqëndrueshmërinë, mungesën e transparencës dhe kontrollit fiskal e ligjor të tyre.
Përse duhet të njohim kriptomonedhat, financat e decentralizuara dhe funksionimin e tyre?
Përse duhet të thellohemi në njohuritë tona mbi kriptomonedhat? Përse duhet t’i njohim zhvillimet e reja në sferën e “Financave të decentralizuara”, i cili është një koncept në zhvillim për kryerjen e transaksioneve financiare pa ndërmjetës, me fjalë të tjera, një alternativë ndaj shërbimeve tradicionale financiare, e cila po fiton me shpejtësi shumë popullaritet? DeFi tashmë bën të mundur kryerjen e shumë së operacioneve të ofruara nga bankat tradicionale dhe institucionet financiare të centralizuara, si dhe vë në dispozicion produkte dhe lloje të reja transaksionesh çdo ditë. Në vitet e fundit, bota e kriptomonedhave dhe DeFi është drejt një zgjerimi të jashtëzakonshëm.
Në ditët e sotme vlera e kapitalizimit total të kriptomonedhave po e kalon shifrën e 3000 miliard dollarëve, me në krye Bitcoin që përfaqëson rreh 40% të kësaj vlere. Në dekadën e fundit, rruga e kriptomonedhave ka qënë marramendëse. Nga një lojë informatike e një grupi të vogël njerëzish, ato arritën të kuotohen në bursat më të mëdha e më të fuqishme të botës.
Sigurisht që kriptomonedhat paraqesin një oportunitet të rëndësishëm investimi, por kjo nuk është arsyeja e vetme për ti njohursa më mirë ato dhe mënyrat e funksionimit të tyre. Brenda pak vitesh do të krijohen e konsolidohen figura profesionale të lidhura me botën e kriptomonedhave, profesione të reja që sot e kemi të vështirë t’i imagjinojmë.
Shumë shpejt, në vitet në vazhdim, nga bizneset e vogla deri te korporatat e mëdha, nga tregjet e thjeshta financiare e deri te bankat e mëdha do flitet gjithmjë e më shumë për kriptomonedhat, do kenë nevojë për “ekspertë e menaxherë kriptomonedhash”. Termi “kripto-specialist” pritet të bëhet shumë familjar në vitet në vazhdim.
Megjithatë, mjedisi i kriptomonedhave mbetet akoma një “angazhim specifik” për shumë individë e biznese, i komplikuar dhe me shumë dyshime për të qenë pjesë e aktiviteteve të përditshme. Këtu ndikojnë shumë faktorë, të tillë si aspektet kulturore, problemi i luhatshmërisë dhe sigurisë, mungesa e rregullave të qarta e transparente të tregut, perceptimi i monedhave digjitale në raport me ato reale, etj.
Kjo ka bërë që për kriptomonedhat të ketë shumë studime e analiza në nivele kombëtare e ndëkombëtare, të shkruhen e botohen shumë libra, të hartohen manuale e guida të shumta, të zhvillohen programe studimi universitare e kurse kualifikimi të shumta, të bëhen pjesë e edukimit financiar e monetar masiv, etj.
Të vlerësuara si “monedha të lira jashtë kontrollit dhe vendim-marrjes së bankave qëndrore, institucioneve financiare dhe qeverive”, si vazhdimësi e teorive të “Shkollës austriake të ekonomisë”dhe Friedrich Hayek, një prej ekonomistëve simbol të saj, cmim Nobel në ekonomi në vitin 1974, i cili imagjinoi për herë të parë këtë koncept në librin “The Denationalization of Money (1976)”, për vetë karakterin e tyre të decentralizuar dhe rentabilitetin e lartë, kriptomonedhat, në këto 13 vitet e para të egzistencës dhe funksionimit të tyre po njohin zgjerim të vazhdueshëm, lehtësi të mëdha në përdorim, duke u konsideruar si “ari digjital” dhe monedhat e të ardhmes.
Sipas Peter Thiel, bashkëthemelues i PayPal, “Unë mendoj se Bitcoin është e para monedhë e koduar që ka potencialin për të bërë diçka si ndryshimi i botës”, ndërkohë që Hal Finney, një nga zhvilluesit e softwerëve të njohur në botë, deklaron se “Unë shoh që bitcoin përfundimisht mund të bëhet një monedhë rezervë për bankat, duke luajtur pothuajse të njëjtin rol si ari në ditët e para të bankave”.
Ndërkohë, për një pjesë tjetër të njerëzve, personaliteteve botërore në sferën finjanciare e monetare, apo institucioneve të ndryshme financiare e monetare, kriptomonedhat vlerësohen si një risi apo investim me shumë paqartësi e rrezik të lartë që i ekspozon zotëruesit dhe përdoruesit e tyre përballë të papriturave të rrezikshme, mashtrimeve e spekullimeve të shumta. “Qëndroni larg kësaj. Në thelb është një mirazh. Për sa i përket kriptomonedhave, në përgjithësi, mund të them pothuajse me siguri se ato do të kenë një fund të keq” është vlerësimi i Warren Buffett.
Dhe në këtë aspekt, rastet konkrete nuk mungojnë. Tregu i kriptomonedhave është i mbushur me raste të shumta mashtrimesh e vjedhjesh, falimentimesh e humbjesh monetare në vlera shumë të mëdha. Shpesh, ky treg është bërë simbol i evazionit fiskal, pagesave informale, financimeve e pagesave ilegale, pastrimit të parave, etj.
Koncepti i kriptomonedhave ka egzistuar përpara se bitcoin të bëhej simboli më përfaqësues i tyre. Sipërmarrja DigiCash Inc., e themeluar nga David Chaum në vitin 1989, ishte përpjekja e parë për të krijuar një monedhë virtuale që mund të përdorej në shkallë të gjerë. DigiCash krijoi një protokoll pagesash anonime të bazuar në kriptografi.
Megjithatë, kjo sipërmarrje dështoi në projektin e saj për një adoptim masiv të protokollit të këtij protokolli, duke deklaruar falimentimin në vitin 1998. Por, po në vitin 1998, Wei Dai, një inxhinier kinez, mjaft i shquar në fushën e kriptografisë, publikoi një përshkrim të “b-money”, një sistem elektronik të një llogarie anonime.
Pak më vonë, Nick Szabo, një informaticien dhe kriptograf i njohur për punimet e tij mbi kontratat dhe monedhat numerike të decentralizuara që “duhej të ishin të pavarura, njësoj si ari”, avancoi shumë në drejtim të konceptit dhe praktikave të kriptomonedhave. Nick Szabo, konsiderohet si paraardhësi dhe arkitekti i bitcoin-it.
Data zyrtare e krijimit të bitcoin është viti 2009 që mban “autorësinë”e një personazhi misterioz të panjohur me pseudonimin Satoshi Nakamoto që shfrytëzoi algoritmin SHA-256 duke u shprehur se “Nëse nuk e besoni apo nuk e kuptoni bitcoin-in, nuk kam kohë t’ju bind, më falni”.
Një aspekt celës i këtij mesazhi është se “për të kuptuar Bitcoin, duhet të harxhoni kohë dhe përpjekje për të mësuar vetë funksionimin dhe “të fshehtat e funksionimit të tij”. Është e lehtë të bësh gabime duke u besuar aktorëve të paskrupullt. Identiteti i tij i vërtetë është ende i panjohur. Nuk dihet nëse është personazh real, nëse është një pseudonim, nëse është një lloj akronimi mbrapa të cilit qëndrojnë një grup informaticienësh, apo mbrapa këtij emri fshihet vetë Nick Szabo?
Krijimi dhe funksionimi i bitcoin mbështetet në një softwer specifik dhe një rregjistër virtual të quajtur blockchain, për arsye se, njësia bazë e sistemit të bitcoin-it është një “bllok” transaksionesh, dhe se këto blloqe lidhen pastaj ndërmjet tyre në një zinxhir të quajtur blockchain. Shumë shpejt mbas bitcoin, u krijuan dhe një sërë monedhash të tjera virtuale si Etherum, Litecoin, OneCoin, Dogecoin, Peercoin, Namecoin, Robocoin, Cardano, etj. Vlerësohet se aktualisht, në qarkullim ka rreth 20000 kriptomonedha të tre gjeneratave të ndryshme, me një kapitalizim në bursë më të madhe se 3000 miliardë dollarë.
Pyetja më sfiduese por dhe më shqetësuese : kriptomonedhat janë një mundësi e oportunitet monetar eficent apo janë një zhvillim spontan e mashtrim që do përfundojë së shpejti? Për shumicën dërrmuese të njërëzve, “bota e kriptomonedhave dhe financave të decentralizuara është ende një mjedis misterioz i pakuptueshëm, me shumë të panjohura të komplikuara”, por njëkohësisht shumë joshës për mundësinë e përfshirjes dhe fitimit.
Çfarë janë DeFi (financat e decentralizuara)?
E pamundur t’i shmangesh: fenomeni i “Financave të Decentralizuara”, ose DeFi, po përfshin gradualisht gjithë botën. Për disa, kjo është e ardhmja e financave, për të tjerët, është një sistem financiar i lirë që ofron po aq garanci sa një anije në një oqean shumë të trazuar. Në realitet, ajo që shpesh quhet “kripto DeFi”, ë shtë një sistem i lidhur me botën e kriptomonedhave, mbi të cilën shumë transaksione financiare funksionojnë tashmë në siguri, dhe kjo, falë aplikacioneve të decentralizuara, ose DApps, që janë në thelb versione të aplikacioneve inteligjente të mbështetura në kontrata të bazuara në blockchain, të popullarizuara nga rrjeti Ethereum.
Financat e decentralizuara, ose “DeFi” (nga anglishtja “Decentralized Finance”) përcakton një infrastrukturë financiare novatore, veçantia e së cilës nuk mbështetet në një bankë qendrore ose agjenci qeveritare për të vepruar. Por çfarë është saktësisht një sistem financiar i decentralizuar? Është një ekosistem në të cilin transaksionet nuk kanë nevojë të vërtetohen nga ndërmjetësit, pasi ato bazohen në teknologjinë blockchain (dhe në parimin e kontratës inteligjente), peer-to-peer, d.m.th. nga personi në person: asnjë ent zyrtar nuk ka kontroll ose mund të modifikojë transaksionet e kryera.
Kjo infrastrukturë e decentralizuar e financave mbulon një sërë aplikacionesh të dedikuara (të quajtura “DApps”) që ofrojnë shërbime të ndryshme për individët dhe bizneset: marrjen e kredive, transfertat e parave në mbarë botën, kursimet ose investimet në bursë, etj. Këto aplikacione përbëjnë themelin e kësaj platforme të decentralizuar, aq sa një përkufizim i sistemit financiar të decentralizuar ndonjëherë jepet si grupi i aplikacioneve DApps bazuar në blockchain dhe në kontratat inteligjente.
DeFi dhe kripto: dy nocione të pandashme.
Koncepti i një sistemi financiar të decentralizuar vjen nga bota e kriptomonedhave – kjo është arsyeja pse termat “kripto” dhe “DeFi” përdoren shpesh së bashku, pasi DeFi përdor kriptografinë për të ekzistuar. Shumica e shërbimeve të Financave të Decentralizuara janë të lidhura me rrjetin Ethereum, i cili nuk është gjë tjetër veçse tregu më i rëndësishëm i kriptomonedhave pas Bitcoin – dhe ai që lançoi parimin e financave të decentralizuara.
Kjo platformë e decentralizuar është projektuar në mënyrë që aplikacione të tjera të tipit blockchain të mund të zhvillohen në të njëjtin rrjet, gjë që bën të mundur ofrimin e gjithnjë e më shumë shërbimeve në lidhje me financat e decentralizuara. Aplikacionet e decentralizuara bëjnë të mundur shkëmbimin, huadhënien dhe tregtimin pa ndërmjetës. Çdokush mund të veprojë si shkëmbyes, huadhënës ose ofrues likuiditeti.
Kështu, zotëruesit e kriptomonedhave (Bitcoin, Ethereum, etj.) kanë akses në shërbimet dhe produktet financiare pa kaluar nëpër bankat tradicionale, pa ofruar dokumente mbështetëse dhe pa hapur një llogari. Ata mund të tregtojnë para (duke përdorur një kontratë inteligjente), të blejnë produkte derivative dhe produkte të tjera kripto DeFi, të kenë llogari depozitash në kriptomonedha për të fituar interes në formën e shpërblimeve (“staking”), të blejnë kriptomonedha, ose të kryejnë transaksioneve me versionin peer -to-peer.
Sa i përket zhvillimit të DApp-ve, ai është falas: protokollet e financave të decentralizuara janë të hapura dhe aplikacionet janë me burim të hapur. Çdokush mund të zhvillojë një aplikacion në DeFi kripto, dhe çdo përdorues mund të kontrollojë kodin e tij në çdo kohë, madje të bëjë ndryshime e përmirësime të tij.
Aktualisht, financat e decentralizuara përfaqësojnë vetëm një pjesë shumë të vogë l në raport me financat tradicionale. Kompleksiteti i tyre në raport me njohuritë specifike dhe cilë sisë së edukimit financiar të shumë individë ve apo bizneseve dhe gjuha e tyre e komplikuar – DeFi për “Financat e Decentralizuara”, DEX për “shkëmbimet e decentralizuara”, DApps për “aplikacionet e Decentralizuara”, blockchain, staking, etj. – vazhdojnë të jenë të vë shtira pë r tu kuptuar dhe vepruar me to, vazhdojnë të mbajnë mbi vete dyshime pë r mashtrime e mungesë transparence.
Mundësi reale fitime apo mashtrim financiar i sofistikuar nëpërmjet mantelit teknologjik?
Ndaj kriptomonedhave dhe Financave të decentralizuara ka aq “shumë joshje e vlerësime po aq sa dyshime e mosbesim”. Kjo bën që edhe pyetja dhe pikëpyetja themelore përballë tyre të jetë : mundësi reale fitime apo mashtrim financiar i sofistikuar nëpërmjet mantelit teknollogjik?
A ofrojnë mundësi “speciale” fitimi kriptomonedhat? Në këtë rast, përgjigjia më e mundshme është PO! Kriptomonedhat e para dolën në qarkullim në vitin 2010. Dymbëdhjetë vite më vonë, për mjaft prej tyre, konstatohet një ecuri dhe sukses i padiskutueshëm, duke i futur ato në “mundësitë” për fitim, mbi të gjitha te mundësitë për tu shkëputur nga varësia me financat tradicionale “të kontrolluara e centralizuara”, te mundësitë për të diversifikuar gamën e investimeve, mundësive për të investuar në një kategori të vecantë asetesh financiare të bazuar në një teknologji inovative e revolucionare sic është blockchain, mundësive për të gjeneruar mundësi të reja fitimi.
Në këtë këndvështrim, përdoret termi “oportunitet”apo “mundësi” sepse fitimi apo përfitimi real ndodh vetëm kur transaksioni apo operacioni përfundon me sukses dhe në “llogarinë”e pjesëmarrësve në këtë sistem ku kreditohen realisht shumat e përfituara.
Edukimi financiar e monetar si domosdoshmëri
Si në cdo lloj investimi, transaksioni apo spekullimi financiar në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, asgjë nuk është “bardhë e zi”. E njëjta gjë edhe për investimet apo përfshirjen në tregjet financiare e monetare. Një pjesë e njerëzve, bizneseve apo organizatave të ndryshme përfshihen në investimet në bursë pa patur formimin dhe njohuritë e domosdoshme për funksionimin, mundësitë, oportunitetet dhe rreziqet e përfshirjes në të.
Mjaft prej tyre, të zhgënjyer nga pritshmëritë për fitime të shpejta e pa risk, tërhiqen nga ky angazhim të dëshpëruar, madje mungesën e fitimit apo shumat e parave të humbura nuk ngurojnë tja faturojnë “të metave të sistemit dhe vjedhjeve nga ata që e kontrollojnë dhe manipulojnë këtë sistem”.
E njëjta logjikë funksionon edhe me sistemin e kriptomonedhave. Tashmë është e qartë se shumica dërrmuese e atyre që janë përfshirë apo përfshihen në këtë “mjedis” kanë shumë pak ose aspak njohuri për përmbajtjen dhe funksionimin e tij. Në të vërtetë, mjaft prej tyre “pretendojnë” se “kanë dëgjuar apo lexuar dicka që ju jep njohuritë dhe sigurinë e nevojshme”se si mund të përfshihen në këtë sistem dhe si mund të fitojnë në mënyrë të sigurtë duke investuar në botën e kriptomonedhave, blockchain-it, metaversit, NFT-ve, etj.
Etja dhe dëshira e parezistueshme për fitime, e nxitur sidomos nga shembuj të shumtë të tipit early adopters, bën që të neglizhohet problemi kryesor, njohuritë e domosdoshme monetare, financiare e teknologjike për tu përfshirë në një sistem të tillë. Megjithatë, përballë këtyre early adopters që meritojnë vlerësime për suksesin e tyre, ka me miliona të tjerë që janë përpjekur të provojnë aventurën e kriptomonedhave dhe kanë dështuar.
Kriptomonedhat nuk janë El Dorado për këdo që joshet vetëm nga fitimi, mundësisht sa më i shpejtë dhe pa mundime. Mundësitë janë të shumta, por po aq të shumta janë dhe rreziqet. E vetmj gjë e sigurtë është nevoja për të qënë i informuar dhe formuar maksimalisht dhe i përgatitur profesionalisht në sferën financiare e monetare, në teknollogjitë digjitale, përpara se të marrësh një hap për tu futur dhe bërë pjesë e këtij sistemi të komplikuar.
Parimi mbi të cilin funksionojnë kriptomonedhat, modeli ekonomik i blockchain-it nuk është një mashtrim apo abuzim, përkundrazi, koncepti i tij bazë është “garancia”për ti bërë transaksionet totalisht të sigurta, për të eleminuar “ndërmjetësit e pandershëm”dhe mundësitë për vjedhje e mashtrim.
Problemi qëndron në faktin se koncepti dhe funksionimi i blockchain mbështetet në mungesën e cdo lloj kontrolli “nga një autoritet qëndror”, i tipit Bankë Qëndrore, etj., që mund ta mbikqyrë, ta korrigjojë e përmirësojë atë në vazhdimësi e me rregulla të qarta e të miratuara paraprakisht, cka bën që të rritet mundësia “për zhvillime të pakontrolluara e të paverifikueshme që cojnë drejt mashtrimeve të përmasave të ndryshme”.
Burimi apo shkaku i mirëfilltë i mashtrimeve, në thelb, nuk janë as kriptomonedhat dhe as sistemi blockchain, por pjesëmarrës e profesionistë të mashtrimeve, të cilët janë pjesë e këtij sistemi, që përfitojnë nga naiviteti, errësimi i arsyes përballë mundësisë për fitim dhe mungesa e njohurive e përvojës së pjesëmarrësve të tjerë, për të përfituar prej tyre, sidomos atyre që nuk u rezistojnë dot ofertave joshëse, që besojnë cdo lloj oferte e mundësie që u del përpara në internet apo rrjete të ndryshme sociale, që i japin lehtësisht të dhënat e tyre bankare, kodet e sigurisë dhe plot informacione të tjera të këtij lloji.
Qëllimet kryesore të një edukimi financiar sa më cilë sor dhe sa më masiv kanë të bëjnë me kuptimin, dhënien dhe trajtimin në mënyrë historike, teknike e teknollogjike, monetare e financiare, paranë dhe bankat, oportuniteteve e rreziqeve të evolucionit dhe përmbajtjes së disa njohurive bazë në lidhje me bitcoin dhe kriptomonedhat në përgjithësi në lidhje me financat e decentralizuara dhe gjithë gamën e zhvillimeve aktuale e perspektive të tyre.
Këto njohuri e informacione do të ndihmojnë këdo, qoftë individ apo biznes, që është i interesuar ta njohë sa më gjerë dhe sa më mirë sistemin dhe botën e kriptomonedhave, që dëshiron dhe synon të investojë e tregëtojë kriptomonedha, sistemin e pagesave, kursin e këmbimit, vlerën e kriptomonedhave, specifikat e portofoleve digjitale, rregullat ligjore e institucionale që egzistojnë deri në këto momente, debatet dhe analizat bashkëkohore mbi rolin, efektet dhe pasojat e zhvillimit të tregjeve të kriptomonedhave, mbrojtjen nga mashtrimet, etj.