Takimi mes Edi Palokës dhe Gazment Bardhit për bashkimin e PD ka pasur nota pozitive, sipas deputetit të kësaj force politike Saimir Korreshi.
Në një intervistë për edicionin e lajmeve në Vizion Plus me moderatorin Aleksandër Furxhi, Korreshi tha se PD duhet të hyjë me kandidat të përbashkët në zgjedhje, për tu dhënë demokratëve përfaqësim në pushtetin vendor.
“Personalisht, sot më vjen mirë që takimi ka qenë me nota pozitive. Koshienca që duhet të hyjmë me kandidat të përbashkët, që duhet t’ia dhurojmë kandidatëve, sepse janë ata në fund të fundit që janë të papërfaqësuar në asnjë nivel, janë ata që për 9 vite janë në opozitë dhe meritojnë që të gjithë deputetët të negociojnë dhe të dalin me kandidat të përbashkët”, tha Korreshi.
Korreshi, nuk pranoi të komentonte më tej takimin e negociatorëve, duke thënë se “jemi të vetëdijshëm që mos dalim me deklarata që mund t’i hedh benzinë zjarrit”.
“Nëse hyn në negociata, mendoj se të dyja palët duhet të heqin pak dorë nga pritshëmritë e tyre. Ne nuk kemi pakt sepse nuk kemi vënë barriera. PD të arrij konsensiusin që PD të kandidojë me kandidat të përbashkët në të 61 bashkitë e vendit. Sot për sot ne jemi të vetëdijshëm që mos dalim me deklarata që mund t’i hedh benzinë zjarrit.
Jemi të vetëdijshëm që jemi në një formë të frenuiar. Gjykoj se nuk duhet të shprehemi mos prishim këtë që ndodhi sot”, tha Korreshi.
I pyetur nga moderatori Aleksandër Furxhi nëse “benzina në zjarrin e PD” do jetë data 3 nëntor, kur do shprehet edhe gjykata se kush do e mbajë vulën e partisë, Korreshi tha:
“Nëse ka mirëkuptim dhe shtrëngim duarsh, ndonjëherë fjala e burrit është më e shtrenjtë sesa vendimet e gjykatës. Koha ka treguar që do ketë mirëkuptim.
Hapi i parë është hyrja me një kandidat të përbashkët. Kush do ketë siglën e vulën pritet të shihet në varësi nëse ne duam apo jo të dalim me një kandidat. Sot ishte i mbarë gjysma e punës
Çfarë do vendimi të marr gjykata mund të kthehet në cdo lloj mënyre. Nuk është domethënës vendimi i gjykatës nëse gjendet një marrëveshje midis të gjithë deputetëve të kësaj partie”.
/a.r