Ish-ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa ka komentuar takimet mes Gazment Bardhit dhe Edi Palokës, duke thënë se ngjajnë si pazare individuale.
Oketa u shpreh se ishte e pavend që ata u takuan në një kafene. Sipas tij, duhet të mblidhen të gjithë deputetët e PD-së për të gjetur një zgjidhje për bashkimin e partisë.
“Referuar ngjarjeve të sotme, me thënë të drejtën pritshmëritë e mia ishin më të larta sesa kaq. Më duket e pavend, që së pari takime të tilla të zhvillohen në kafene. Së dyti, më duket akoma më pavend që të mos mblidhen të gjithë deputetët e Partisë Demokratike, me një transparencë, me një diskutim të hapur të gjejnë një zgjidhje.
Takime të tilla, midis dy individëve kokë më kokë, ngjajnë si pazare individuale sesa realisht një zgjidhje konkrete. Që të dalë nga takimi kryetari i Këshillit Kombëtar, të deklarojë se nuk ka asgjë që të thotë sot, por duhet të presim nesër, një deklaratë as politike, as që ndihmon zgjidhjen”, tha ndër të tjera Oketa në një intervistë për Euronews Albania.
Edi Paloka dhe Gazment Bardhi janë dy të mandatuarit e dy grupimeve për të negociuar mundësitë dhe rrugët për bashkimin dhe daljen me kandidatë të përbashkët në zgjedhjet e ardhshme lokale./m.j
Të dy qëndruan në takim kokë më kokë për rreth 90 minuta në një nga lokalet e Tiranës këtë të martë.
Pas takimit, të dy refuzuan të jepnin detaje rreth asaj që kishin biseduar, por deklaruan se do të ketë një takim të dytë.