Nga Ben Andoni
Zhgënjimi më i madh i publikut në ditët e sotme lidhur me opozitën nuk është më ndarja e PD-së dhe as Berisha, por realisht njerëzit që duhet të dalin dhe ta përfaqësojnë apo më saktë ata që munden ta bashkojnë. Edhe pas këtij konsumimi të lodhshëm të PS-së, retorikës së kryeministrit, çoroditjes së PD-së, njerëzit janë të qartë për diçka: Tek PD nuk ka njerëz që ta përfaqësojnë. Dhe, kjo nuk është faji i simpatizantëve apo i njerëzve por i pamundësisë për t’i dalë kryetorakracisë, që pas marrëveshjes së vitit 2008, Berisha-Rama është një cak i pakalueshëm. Edhe pse Berisha nuk ka ende në dorë një vulë legale dhe logon e partisë së tij, me karizmën dhe sidomos me vrullin nga militantët që e ndjekin, bën të gjithë diskursin e kësaj partie. Si në kohën kur ishte kryeministër, ai vendos për gjithçka qoftë edhe gjysmën përballë vetes, fraksionit tjetër legal, që ka luksin në parlament të debatojë këndshëm me pozitën.
Është për të ardhur keq, që kjo parti nuk nis dot një frymë bashkimi, kurse lajmin e përbën takimi i njerëzve të rreshtit të dytë të partisë. Berisha flet në vetën e parë dhe të mjafton, të ndryshosh në përfytyrim kohën dhe konjukturat dhe të bindesh qartësisht se nuk ka ndryshuar prej kohësh dhe për më tepër se: nuk do të dëshironte të shihte askënd të promovohej. Edhe pse zgjedhjet lokale duan muaj, një gjë është e qartë kjo opozitë që tashmë i shtohet edhe Partia e Lirisë së ish-presidentit Meta nuk frymëzojnë dot. Nuk mund të organizohen për protesta, ashtu si thanë që do e ndiznin Tiranën zjarr dhe ia kishin bërë benë Ramës, se do ikte për punë ditësh, kurse militantët në çdo kanal ia bënin jetën ferr kryeministrit, që prej vitesh “pushon” dhe udhëton i qetë nëpër botë, duke e ndjekur aksionin e tyre në portale.
Më keq se çdo gjë është mungesa e çdo modeli drejtimi që mund të ofrojnë, ndërkohë që Tirana dhe qytetet kryesore të vendit para zgjedhjeve kërkonin pak a shumë identikitet e njerëzve që mund t’i drejtonin në të ardhmen, nën frymën e opozitës. Duket se i gjithë diskursi i opozitës jo pak herë ngrihet me të paqëna, kështuqë Berisha që ka ditur ta dekorojë si askush tjetër këtë paqenësi është më i nderuari. Po mos vallë nuk ka PD dhe opozita e djathtë e bashkuar njerëz, që mund të përfaqësojnë?! Jo, edhe për pak kohë nuk do kenë. Ashtu si është shumë e vështirë të dalin emra te PS-ja sepse Shqipëria është pronë e pak njerëzve, që i kemi zotër të çdo gjëje. Mbi Berishën, Metën dhe Ramën nuk del dot askush. Ndaj është e vështirë te PD-ja të dalin emra të bashkojnë partinë dhe tashmë të fillonin pasqyrimin e njerëzve që do nisnin ndryshimin e Shqipërisë. Këtë e di mirë Berisha, që nuk është më sikleti i PD-së, por mungesa e atyre njerëzve të duhur, që në më të shumtën e herës e shohin atë si çlirimtarin e vërtetë të fateve të partisë së tyre…dhe të Shqipërisë së rrezikuar. (Javanews)