“Ishulli i Thesarit” quhet çerdhja dhe kopshti më i ri në kryeqytet. Ndodhet në Njësinë 2 dhe këtë vit priti plot 200 fëmijë. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se përveç kushteve të mira për vogëlushët, një element i veçantë i këtij kopshti është përshtatja e sistemit didaktik, sipas atij të Regio Emilias, I realizuar falë bashkëpunimit me ambasadën italiane.
“Hapja e një kopshti dhe çerdheje të re është gëzim i jashtëzakonshëm. Më pëlqen shumë emri “Ishulli i Thesarit”, por edhe didaktika e kopshtit sipas sistemit të Regio Emilias, në sajë të bashkëpunimit që kemi me Ambasadën Italiane. Unë besoj se në kopësht nuk rriten vetëm fëmijët, por ndryshon edhe mentaliteti i prindërve për të kuptuar trendin botëror, si po i rrisin fëmijët në Itali e Gjermani, dhe në qoftë se kemi atë menu, atë didaktikë mësimore, nëse kemi atë përkujdesje dhe mbi të gjitha kemi edhe këto lloj ndërtesash si në Perëndim, besoj se i kemi dhënë zonës së Qytetit Studenti një aset të jashtëzakonshëm”, u shpreh Veliaj.
Kreu i Bashkisë tha se sot dora e solidaritetit, si e qeverisë, ashtu edhe e bashkisë, po shtrihet kudo në një kohë të vështirë për shkak të luftës në Ukrainë, e cila ka rritur çmimet dhe koston e jetesës.
“Unë e di se ca njerëz futen në politikë për sherre, ca njerëz futen në politikë për përçarje, ca njerëz futen në politikë për t’i nxjerrë sytë tjetrit. Ne jemi në këto lloj pune për të shërbyer, por sidomos në këto kohë të vështira, shërbesa jonë është shumë e rëndësishme. Sot, edhe prej situatës që po ndodh – u përballëm me tërmetin, pastaj pandeminë, sot kemi një luftë, e cila ka rritur çmimet, ka prekur bursën, çka nuk varet fare nga ne. Ka plot familje që po kalojnë situata sfiduese. Detyra jonë, detyra e qeverisë dhe e bashkisë është që të ndihmojmë. Në qoftë se qeveria ndihmon me ndihmën ekonomike, pagesën e aftësisë së kufizuar, rritjen e pensioneve, të rrogave, detyra jonë është të ndihmojmë uljen e kostove. Kjo do të thotë se vendimi ynë që t’i subvencionojmë kopshtet 1 me 7 – pra, për çdo 1 lek që paguan një familje, 7 lek i paguan Bashkia e Tiranës – është një mënyrë për t’iu gjendur pranë familjeve që kanë nevojë, familjeve që duan të shkojnë në punë, por ama na kanë besuar dritën e syrit në një mjedis të sigurt”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku nënvizoi se ky vit ka shënuar një rekord, me 12 shkolla dhe 8 kopshte e çerdhe të reja në kryeqytet.