Sot pritet të zhvillohet takimi i parë mes dy të mandatuarve për bashkimin e Partisë Demokratike. Edi Paloka dhe Gazment Bardhi kanë marrë rolin e negociatorëve nga Sali Berisha dhe Enkelejd Alibeaj për të diskutuar në lidhje me bashkimin e partisë përpara zgjedhjeve lokale të 2023. PD ka një frymë optimizmi se bashkimi i partisë do të vijë. Deklaratat e njëpasnjëshme të Berishës apo nënkryetarit Luçiano Boçi, përçojnë mesazhin se baza është gati për bashkim dhe gjuha e përbashkët duhet të gjendet mes deputetëve.
Takimi vjen dy ditë pas mbledhjes së drejtuesve politikë të PD në qarqe me Berishën ku u dakordësua nisja e procesit të primareve. Ndërkohë që që paralelisht, Gazment Bardhi nuk e pëlqeu faktin se PD do të nisë primaret pa dakordësuar fillimisht bashkimin. Edhe deputetët Agron Gjekmarkaj dhe Flutura Açka i kërkuan grupit Alibeaj të gjejnë kandidatë për të dalë të ndarë në zgjedhjet e 2023-ës në rast se bashkimi nuk ndodhë.
“Disa ditë më parë unë pranova të jem personi që do të kontaktoj me z. Paloka i cili është mandatuar nga grupi tjetër i kolegëve të PD. Dua t’ju sqaroj se kam qenë në komunikim me z.Paloka por nuk jemi takuar për shkak se ai ka qenë jashtë shtetit. Kemi dakordësuar që të takohemi të martën. Fatkeqësisht paralelisht me këtë takim të parashikuar me z. Paloka nga media jam njohur me një mbledhje që do të zhvillohet në PD për nisjen e procesit të primareve. Kjo na bën të jemi përpara një fakti të kryer. Por unë do t’i qëndroj deri në fund vullnetit të shumicës për të kryer çdo diskutim në funksion të daljes me kandidat të përbashkët në zgjedhjet vendore”.-tha Bardhi.
Ndarja e PD u provua fatale në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit, ku PD humbi 5 bashkitë nga 6 ku u garua për shkak edhe të përçarjes së thellë.
/s.f