Kryeministri Edi Rama dhe ministrja Evis Kushi zhvilluan një mbledhje me rektorët e universiteteve publike dhe jopublike në vend për të diskutuar mbi rëndësinë e procesit të rankimit të institucioneve të arsimit të lartë.
Gjatë fjalës së tij, Kryeministri tha se: “ Sikundër e kishim diskutuar me rektorët, në takimin e Pragës, të atij që është pagëzuar si Komuniteti i Ri Politik Europian, unë e kam ngritur temën e universitetit si një temë që duhet konsideruar nga Bashkimi Europian për t’u trajtuar dhe për t’u adresuar, pa pritur që Shqipëria dhe vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen anëtare të Bashkimit Europian, që do të thotë që ne kemi, si vende kandidate dhe që negociojmë me Bashkimin Europian anëtarësimin tonë, një akses të pjesshëm në sistemin europian të arsimit të lartë dhe në financimet përkatëse. Ne kemi çelur një proces, të quajtur “ndërkombëtarizimi i universiteteve” dhe për hir të vërtetës, unë dua t’i falenderoj rektorët sepse shikojmë hapa shumë inkurajues. Ashtu sikundër, dua t’i falenderoj edhe për faktin që ka një shtysë domethënëse në drejtim të aksesit të fondeve europiane për atë pjesë të sistemit që ne mund ta aksesojmë qysh sot si një vend kandidat dhe një vend negociator.
Treguesi është shumë i qartë. Ne, në sistemin tonë universitar kemi shumë më tepër kapacitete sesa çka qenë e mundur të lexohen në sytë e opinionit publik, por edhe në sytë e opinionit më të interesuar si rezultat i një periudhe shumë të gjatë amullie dhe prapambetjeje në trajtimin e burimeve njerëzore. Sot, ky është një nga efektet më të rëndësishme të reformës, edhe të kësaj qasjeje dhe të nxitjes për ndërkombëtarizim. Ne nuk kemi të ardhme tjetër, përveç krijimit të sinergjive dhe çeljes së dyerve të universiteteve europiane këtu në Tiranë, përmes universiteteve tona. Rritja eksponenciale edhe e programeve të përbashkëta, por edhe e programeve në gjuhën angleze, kemi bërë një hap, që është hapi i parë; duhet shoqëruar nga shumë hapa të tjerë, por që është shumë domethënës. Përsëri, këtu dua ta përshëndes punën e bërë nga universiteti i Tiranës.”
Në vijim Rama tha se: Çështja që shtrohet sot është që pavarësisht përparimit real, konkret, pikërisht pse raporti ynë me të ardhmen është ende shumë i zhdrejtë, renditja e universiteteve shqiptare në hartën globale, edhe për shkak të një kohe shumë të gjatë të humbur përpara reformës, është e papranueshme, thjesht e papranueshme.
Lajmi i mirë, sipas nesh, pas analizës së bërë dhe mbi çfarë rezulton nga impakti i reformës, rezulton që është një renditje që nuk pasqyron kapacitetet. Ky është lajmi i mirë, nuk pasqyron kapacitetet. E solla shembullin e aksesit në financimet e fondeve europiane, madje, në ato projekte në të cilat Universiteti i Tiranës ka aksesuar fonde europiane, ka disa projekte, ku është lider universiteti i Tiranës, që është diçka që ndodh për herë të parë. Njohja e lidershipit të universitetit të Tiranës në bashkëpunim me universitete të tjera europiane që janë të rankuara shumë më lart flet që kapacitetet ne i kemi shumë më të mira sesa çfarë tregojnë pamja dhe niveli i rankimeve tona absurde, shumë poshtë.
Prandaj, gjëja që kemi vendosur është që të merremi shumë seriozisht me këtë aspekt dhe të merremi me këtë aspekt do të thotë që të marrim një e nga një, të gjitha kushtet që duhen përmbushur, që ndonjëherë janë kushte fare elementare, për të pasur një rankim shumë më dinjitoz dhe shumë më pranë asaj që realisht ofrojnë kapacitetet tona akademike.
Një nga pikat që duket si “Çfarë është kjo” është përmbushja e disa standardeve për sa i përket aspektit të qasjes digjitale të universiteteve, jo në procesin mësimdhënës, por në paraqitjen e tyre. E thënë me një fjalë, website. Në një vend që, me shumë krenari e them, së fundmi rankohet i 8-ti në Europë dhe i 19-ti në botë për shërbimet publike digjitale. Atëherë, përfshirja e universiteteve në këtë rrjedhë dhe integrimi i universiteteve me këtë sistem, flas nga pikëpamja e kualitetit, besoj se është gjë e thjeshtë për t’u bërë, mjafton që ne të koordinohemi dhe të funksionojmë bashkarisht në këtë drejtim se nuk ka asnjë shkencë të jashtëzakonshme në këtë pikë.
Vetëdeklarimi i të dhënave, të matshme dhe cilësore, të dhënat nga pyetësorët, nga algoritmet përpunuese në web apo nga informacionet e mbledhura drejtpërdrejtë, ka të bëjë drejtpërdrejtë me rankimin e universiteteve. Ky është një proces që ne duam ta bëjmë bashkarisht. Nuk duam ta bëjmë në mënyrë të njëanshme, por bashkërisht. Ashtu sikundër, bashkërisht duhet të adresojmë një problem shumë serioz që lidhet me fazën e dytë të reformës.”
Kryeministri shtoi se: “Duhet të jemi të përgatitur dhe duhet të punojmë në një drejtim që, pa i hequr asgjë askujt, të krijojmë kushte që të gjithë të përfitojnë më shumë duke u bërë shumë më tepër tërheqës, qoftë për tregun e brendshëm, qoftë për sistemin e arsimit të lartë europian.”
/e.d