Kina do të zgjerojë në mënyrë të vendosur hapjen e gjithanshme dhe do të nxisë një globalizim ekonomik më të hapur, përfshirës, të ekuilibruar dhe me përfitime për të gjithë.
Ka pasur një keqkuptim rreth modelit të ri të zhvillimit, të përqendruar në ekonominë e brendshme dhe në ndërveprimin pozitiv ndërmjet qarkullimit ekonomik të brendshëm dhe të jashtëm, u shpreh në një konferencë shtypi zv.kryetari i Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe të Reformës Zhao Chenxin.
Sipas tij, është e gabuar të mendohet se, duke u fokusuar në ekonominë e brendshme, Kina do të dobësojë përpjekjet për hapjen e saj ose madje edhe se do të kthehet në një “ekonomi të vetëmjaftueshme”.
Globalizimi ekonomik është bërë një prirje e pakthyeshme, tha Zhao Chenxin, duke shtuar se Kina është tashmë thellësisht e integruar në ekonominë globale e sistemin ndërkombëtar dhe se industritë kineze e ato të shumë vendeve të tjera janë mjaft të ndërlidhura e të ndërvarura.
Ai u shpreh se nxitja e një modeli të ri zhvillimi është shumë e rëndësishme për Kinën për të arritur zhvillimin me cilësi më të lartë, më të efektshëm, më të drejtë, më të qëndrueshëm dhe më të sigurt.
Sot vijon dita e dytë e Kongresit të 20-të Kombëtar të PKK-së. Liderët e Komitetit Qendror si president, kryeministër, kryeparlamentar etj., morën pjesë në diskutime në grup me delegacione të ndryshme pjesëmarrëse. Gjatë diskutimit me delegatët nga Rajoni Autonom Guangxi-Zhuang i Kinës Jugore, presidenti Xi Jinping i bëri thirrje të gjithë popullit kinez që të qëndrojë i bashkuar në një mendje për ta bërë “anijen gjigante të përtëritjes kombëtare të arrijë në destinacionin e saj duke kaluar përmes erës dhe dallgëve”.
/e.d