Superliga shqiptare ka zhvilluar sot dy nga ndeshjet e javës së tetë. Me fillim nga 15:00 në Ballsh dhe Laç katër skuadra zbritën në fushë. 90 minutat vendosën që Laçi dhe Vllaznia të barazonin 1-1, ndërsa Bylis të humbiste 0-1 me Tiranën në “Adush Muça”.
Në Laç vendasit kaluan të parët në avantazh me Adeleke në minutën e 53 të ndeshjes pas një goli të bukur. Do duhej Herald Marku që në të 67 minutë të vendoste ekuilibrat për 1-1. Megjithë ndërrimet e dy trajnerëve, rezultati mbeti i pandryshuar. Pas kësaj jave Vllaznia qëndron me 11 pikë në vendin e pestë, ndërsa Laçi me pesë pikë në vendin e fundit.
Në Ballsh, Bylis humbi në shtëpi 0-1 me Tiranën. Një gol nga Florent Hasani në minutën e 90 i ka dhënë tri pikë kampionëve në fuqi të vendit. E majtë perfekte nga sulmuesi, që nxjerr nga repertori një goditje kalibri për të dërguar Tiranën në krye të klasifikimit me 15 pikë, aq sa ka edhe Partizani që luan në 17:45 me Kastriotin. Bylis me 11 pikë mban vendin e katërt.