Një nga artistët më të mëdhenj italian Mikelanxhelo raportohet se kishte pikturuar Bazilikën e Shën Pjetrit gjatë kohës qe vuante nga sëmundja kronike e artritit.
Një studim i ri sugjeron se piktori, skulptori dhe arkitekti kishte vazhduar të pikturonte dhe projektonte Bazilikën e Shën Pjetrit përderisa vuante sëmundjen e osteoartriti (OA), e cila i kishte deformuar gishtat e tij, transmeton Koha.net. Osteoartriti është sëmundje e sistemit kockor që karakterizohet nga dëmtimi i kërcit kockor, dhe përveç dhimbjes ajo karakterizohet edhe me kufizim të lëvizjeve, duke i ngurtësuar ato.
Shkencëtarët italianë besojnë se goditjet me çekan të gjerë dhe gdhendjet metalike të kryera nga Mikelanxhelo gjatë krijimit të kryeveprave, si ajo e “Davidit”, kishin ndikim të madh në deformimin e duarve të tij në moshë më të vonë, shkruan The Telegraph.
Përkundër kësaj, ai kishte refuzuar që të hiqte dorë nga puna deri pak ditë para vdekjes së tij, sipas Dr Davide Lazzeri, specialist në ristrukturimin plastik dhe në kirurgji estetike në klinikën Villa Salaria, Rome.
Dr Lazzeri ka studiuar veprat e Mikelanxhelos, duke kuptuar se si duart e tij ishin deformuar përderisa plakej, për të kuptuar se ai vuante nga artriti. Megjithatë disa letra tregojnë se ai bënte skulptura edhe gjashtë ditë para vdekjes së tij.
“Diagnoza e osteoartritit ofron një shpjegim të arsyeshëm për humbjen e zhdërvjelltësisë së Mikelanxhelos në moshë të vjetër, por njëherësh thekson triumfin e tij mbi dhimbjet, pasi ai vazhdoi të punojë në veprat e tij deri në ditët e fundit të jetës. Në të vërtetë, puna intensive dhe e vazhdueshme mund ta ketë ndihmuar atë që të vazhdojë përdorimin e duarve sa më gjatë që ishte e mundur”, është shprehur Dr Lazzeri.
Mikelanxhelo Buonaroti, i cili kishte lindur më 1474 në qytezën Caprese, ka krijuar një nga kryeveprat e pikturës murale në Kapela Sistine në Romë. Përkundër që nuk kishte pikturuar asnjëherë një projekt të tillë madhorë ai e kishte filluar pikturimin e saj, të cilën e kishte përfunduar pas katër vjetëve.
Në “Gjykimin e Fundit (1534-41)”, në murin para altarit të Kapelës Sistine, ai kishte pikturuar fytyrën e tij në gjendje të tmerrshme në Shën Bartolomeun, që është një nga figurat kryesore të kësaj vepre.
Por, në vitin 1546 atij i ishte kërkuar që të marr përsipër punën si arkitekt i Bazilikës së Shën Pjetrit në Romë, një projekt i cili kishte ngecur për më tepër se 50 vjet. Kupola e së cilës ishte përfunduar pak pas vdekjes së tij është quajtur edhe “krijimi më i madh i Renesancës”.
Mikelanxhelo kishte vdekur në Romë më 1564 në moshën 89 vjeçare, që e kishte gjetur ende duke punuar.
KOHA