Kancelari gjerman Olaf Scholz bëri thirrje të shtunën për zgjerimin e Bashkimit Evropian.
Ai tha në fjalimin e tij në Kongresin e Socialdemokratëve Evropianë në Berlin, se një gjë e tillë do ta bënte bllokun më të aftë të përballej me sfidat globale.
Që kur mori detyrën, zoti Scholz e ka bërë një përparësi të politikës së tij të jashtme zgjerimin e Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit dhe të tjera.
Kjo çështje është bërë më urgjente që kur filloi agresioni rus në Ukrainë, e cila u bë kandidate për anëtarësim në BE në fillim të verës.
“Unë jam i përkushtuar ndaj zgjerimit të BE-së. Zgjerimi i BE-së drejt lindjes, do të ishte e favorshme për të gjithë ne,” tha ai.
Kancelari Scholz bëri gjithashtu thirrje për reforma në Bashkimin Evropian, për të cilat tha se do të ndihmonin për realizimin e zgjerimit dhe do të bënin të mundur një autonomi ushtarake të bllokut prej 27 vendesh.
Zoti Scholz foli për nevojën e heqjes graduale të parimit të unanimitetit për vendimet në politikën e jashtme, por edhe në fusha të tjera si politika tatimore.
“Nëse aspirata jonë është një Evropë gjeopolitike, atëherë vendimet e shumicës janë një forcim dhe jo një humbje e sovranitetit”, tha ai.
Aktualisht, shumë vendime të BE-së mund të merren vetëm nëse të gjitha vendet votojnë njëzëri.
Zoti Scholz gjithashtu mbështet më shumë autonomi ushtarake për BE-në. Ai bëri thirrje për koordinim në furnizimin me armëve dhe pajisje dhe krijimin e një force të reagimit të shpejtë të BE-së deri në vitin 2025.
“Në Evropë, ne kemi nevojë për ndërveprim më të mire të përpjekjeve tona të mbrojtjes,” tha ai. “Në të ardhmen, Evropa do të ketë nevojë për një rritje të koordinuar të aftësive. Ne duhet ta çojmë përpara me bindje dhe së bashku mbrojtjen evropiane.”/VOA/m.j