Në qershor të vitit të kaluar, një çift bashkëshortësh kanë kallëzuar njëri-tjetrin për dhunë fizike. Në fund të historisë rezultoi se të dy kanë dhunuar njëritjetrin e për pasojë të dy janë dënuar
Fillimisht ka qenë burri ai që ka telefonuar në numrin 129. Ai ka njoftuar sallën operative se bashkëshortja e tij e kishte rrahur dhe hedhur nga shkallët.
Kallëzimi i tij ka marrë kundërpërgjigje nga bashkëshortja, e cila po ashtu ka pretenduar në Komisariatin nr.3 në Tiranë se ishte rrahur nga i shoqi.
Sipas saj, ai e kishte qëlluar me grusht në fytyrë. Protagonistët e ngjarjes G.K. dhe E.K., aktualisht të divorcuar, janë dërguar si të pandehur në Gjykatën e Tiranës për akuzën e “dhunës në familje, raporton Panorama.
Në një përfundim të gjykimit që u mbyll pak ditë më parë në Gjykatën e Tiranës, ata u shpallën të dy fajtorë dhe u dënuan me nga 2 muaj heqje lirie.
Ata nuk do të qëndrojnë në qeli, për shkak se gjykata vendosi pezullimin e dënimit të tyre me burg. Referuar vendimit të shpallur nga gjyqtari Arben Micko, i pandehuri G.K. do të qëndrojë në liri me kusht për një periudhë 18mujore. Gjatë kësaj kohe, ai nuk duhet të kryejë asnjë vepër penale. Ndërsa e pandehura E.K. duhet të kryejë 60 orë pune të papaguara për interes publik.