Më 3 nëntor Gjykata e Apelit do të shqyrtojë kërkesën e Enkelejd Alibeajt për të rrëzuar vendimin gjykatës së shkallës të datës 18 mars 2022, kur regjistroi ndryshimet statutore të Kuvendit të 17 korrikut 2021.
PD kërkon që Gjykata t’i shqyrtojë bashkë ndryshimet statutore si ato të 17 korrik edhe ato të 18 dhjetorit.
Juristi Arbër Hoxha shpjegon për Euronews Albania tre variantet e vendimmarrjes së Gjykatës dhe pasojat që ato shkaktojnë për drejtimin e partisë në vijim.
“Janë tre variant, pranimi i ankimimit, rikthimi për gjykim në shkallën e parë dhe rrëzimi i kërkesës”, thotë avokati.
Avokati Hoxha tregon edhe problematikat e kësaj çështje në momentin që Alibeaj ka bërë ankimin.
“Nuk ka të bëj me afatet, por zoti Alibeaj ka gabuar me procedurë se nuk duhet të bënte ankimim, por padi ndaj vendimit”, shprehet Hoxha.
Përveç kësaj çështje, në Gjykatën e Apelit për statusin juridik të Partisë Demokratike është edhe një tjetër padi e Alibeajt që ka kërkuar shfuqizimin e gjykatës së shkallës së parë me gjyqtar Agron Zhukrin që njohu dhe regjistroi statutin e ri të dalë nga kuvendi i datës 11 dhjetor. Për këtë çështje ende nuk ka një datë shqyrtimi./m.j