Juristi Kreshnik Spahiu thotë se projekti i amnistisë fiskale është një domosdoshmëri nga e cila nuk përfiton Shqipëria, por shqiptarët brenda dhe jashtë vendit.
Spahiu tha se përfitues të drejtpërdrejtë të kësaj nisme do të ishin minimalisht 500 mijë shqiptarë që punojnë në të zezë nëpër botë dhe nuk kanë një llogari bankare ku të depozitojnë të ardhurat e tyre.
“Ne vijmë nga një ekonomi informale dhe për këtë janë fajtore të gjitha qeveritë. Në Shqipëri të gjitha shit- blerjet bëhen me para në dorë se nuk ka besueshmëri në banka. Kjo duhet kaluar dhe paratë duhet të formalizohen, por për këtë duhet një konsensus i gjerë. Po marr 500 mijë shqiptarë minimalisht që punojnë në të zezë jashtë Shqipërisë, pa kontratë dhe s’kanë llogari bankare. Këta sikur 10 mijë euro në vit të kursejnë do depozitojnë 5 mld euro në vit dhe shteti amë duhet t’i ndihmojë për t’i depozituar këto para. Pra nga kjo përfitojnë të paktën 500 mijë shqiptarë jashtë vendit”, tha Spahiu.
/a.r