Partia Socialiste dhe ajo Demokratike rrezikojnë të gjobiten deri në 10 milionë Lekë të vjetra për shkak të shkeljeve ligjore të konstatuara në raportin e auditit të bërë nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve për fushatën elektorale të 25 Prillit të vitit të kaluar.
Sipas dokumentit, socialistët kanë tejkaluar me tri herë vlerën e lejuar të shpenzimeve nga fondet publike, duke e çuar atë nga 55.826.750 në 172. 046 612 Lekë të vjetra.
Gjithashtu auditi vëren se PS-ja nuk ka dorëzuar raportet për 17 kandidatë të listave shumë emërore dhe se në dokumentet e dorëzuar janë bërë korrigjime me shkrim.
Për të dyja këto shkelje, Kodi Elektoral parashikon dënim me gjobë që varion nga 5 deri në 10 milionë Lekë të vjetra.
Por ndryshe nga socialistët, Partia Demokratike problemin madhor e ka me çështjen e transparencës. Nga auditi i KQZ-së rezulton se 50% të kandidateve, u mungojnë deklaratat e donatoreve mbi konfliktin e interesit. Edhe në rastin e demokratëve për shkeljet e konstatuara gjoba varion nga 5-10 milionë Lekë të vjetra.
Çështja e financimeve të partive politike ka ngjallur jo pak debat muajt e fundit. Socialistët kanë hedhur idenë e amendimeve në ligj, që duket se ka gjetur edhe mbështetjen e KQZ-së dhe Partisë Demokratike, ndërsa këta të fundit kanë ngritur një komisionin auditi për të bërë transparencën e financave ruse në kohën kur selia blu drejtohej nga Lulzim Basha./ Tv Klan
/e.d