Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi mori pjesë në takimin e gjashtë të Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes për Ukrainën.
Në këtë takim të thirrur nga Sekretari i Departamentit të Mbrojtjes së SHBA, Lloyd Austin dhe Shefi i Shtabit të Bashkuar të SHBA, Gjeneral Mark Milley, në selinë e NATO-s në Bruksel, ishin të pranishëm përfaqësues të afro 50 vendeve aleate dhe partnere.
Qëllimi i këtij takimi ishte adresimi i kërkesave të Ukrainës për kapacitete ushtarake dhe jo ushtarake të nevojshme për vijimin e reagimit ndaj sulmit të paprovokuar të Rusisë. Në diskutimet e përfaqësuesve të lartë të shteteve aleate u konfirmua uniteti në mbështetje të Ukrainës.
Gjatë fjalës së tij, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi dënoi me forcë të ashtuquajturat referendume ruse për aneksimin e rajoneve të Ukrainës, duke shprehur qëndrimin e Shqipërisë për të mos i njohur kurrë ato. Ministri Peleshi theksoi se Shqipëria njeh dhe respekton sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Ministri Peleshi përmendi kontributin e deritanishëm të qeverisë shqiptare në mbështetje të Ukrainës dhe deklaroi se po punohet për të ofruar ndihmë ushtarake dhe humanitare.
Në këtë takim mori pjesë edhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Gjeneral brigade Arben Kingji. Takimi i gjashtë i Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes për Ukrainën u mbajt para takimit dy ditor të Ministrave të Mbrojtjes së vendeve të NATO-s.
/a.r