Juristi Kreshnik Spahiu e sheh të pamundur mundësinë e bashkimit real të PD pas mosmarrëveshjeve të thella deri në dhunë që patën pak muaj më parë.
Në një intervistë për Euronews Albania, Spahiu u shpreh se PD e Berishës dhe ajo e Bashës po aktrojnë për t’ia faturuar njëri-tjetrin humbjen në zgjedhjet e ardhshme.
Sipas Spahiut, PD s’e ka fituar për 24 vjet Bashkinë Tiranë dhe nuk ka për ta fituar as këtë herë, ndaj me gjoja përpjekjet për t’u bashkuar po bëjnë gati alibinë e humbjes.
“Të dyja palët aktrojnë për t’ia faturuar dështimin palës tjetër. Se pas 7 muajsh do gjykohen në zgjedhje dhe të dy e dinë cili është rezultati. PD e ka humbur 24 vjet Bashkinë e Tiranës. Një parti e përçarë, pa mbështetjen e ndërkombëtarëve, s’ka asnjë shans që të fitojë bashkinë e Tiranës. Po bëjnë gati alibinë e humbjes. Basha fshihet, s’ka asnjë deklaratë sikur s’ka qenë ai kandidati për kryeministër. Po bëjnë sikur duan të bashkohen. A mund të funksionojë aleanca e dy palëve që janë rrahur para më pak se muajsh, është e freskët dhuna. Të dyja palët kanë marrë hurin për t’u rrahur me njëri-tjetrin”, tha Spahiu.
/e.d