“Kosova është Europë”. Me këtë fjali në shqip, e mbylli fjalimin e tij në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, deputeti Ukrainas Oleksiy Goncharenko. Edhe pse vendi i tij nuk e njeh ende Kosovën, ai vuri theksin tek nevoja për integrimin e Ballkanit Perëndimor për të larguar rajonin nga influenca ruse.
“Kosova duhet të njihet nga të gjitha shtetet anëtare në Këshillin e Europës. Ju lutem njiheni Kosovën si shtet të pavarur . Ajo duhet të ulet këtu, së bashku me ne në Këshillin e Europës. Vetëm kështu mund të jemi më të fortë”.
Në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës mbajti për herë të parë një fjalë edhe Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci. Edhe ajo i dha mbështetje Ukrainës.
“Do t’i thoja popullit të Ukrainës se zemrat dhe lutjet tona janë me ta. Ne e dimë shumë mirë se çfarë po kalojnë. Unë vetë jam e mbijetuar e një masakre gjatë luftës në Kosovë. Do të jemi gjithmonë me ukrainasit në këtë luftë”.
Të mërkurën në asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës pritet të mbajë një fjalë edhe kryeministri Edi Rama. Shqipëria i ka kërkuar këtij organizmi të ndryshojë raportin e Dik Marti të 2011-ës për krimet e luftës në Kosovë.
/a.r