Të mërkurën kryeministri Edi Rama do t’i drejtohet me një fjalim asamblesë parlamentare të Këshillit të Evropës në Strasburg, ku do të kërkojë rishikimin e rezolutës 1782 të vitit 2011 ose atë që njihet ndryshe si raporti i Dick Marty-t.
Shqipëria do të kërkojë hedhjen poshtë të akuzave për trafikim të organeve të qenieve njerëzore gjatë luftës në Kosovës, të cilat janë në raportin e senatorit zviceran.
Kreu i qeverisë shqiptare do të ketë 60 minuta në dispozicion për të mbajtur fjalën e tij përpara anëtarëve të këshillit dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve.
Më 21 korrik, kuvendi i Shqipërisë votoi unanimisht me 125 vota pro rezolutën që do të prezantohet nga kryeministri Rama.
Kjo rezolutë i bën thirrje Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të realizojë një raport vijues dhe më pas ndryshimin e raportit të vitit 2011, ku të shpallen të pabazuara pretendimet për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe Kosovë në dritën e zhvillimeve që kanë ndodhur gjatë kësaj dekade.
Raporti i hartuar nga Dick Marty dhe i miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, pretendon se në trafikimin e organeve kanë qenë të përfshirë udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë luftës së viteve ’98-’99./m.j