Gjykata e Apelit të Tiranës ka lënë sot në burg vëllezërit Saimir dhe Arsil Shera të cilët janë shpallur fajtor për vrasjen e taksistit Abdulla Budlla. Ngjarja ka ndodhur më 3 gusht të vitit 2020 në rrugën nacionale “Fushë Krujë – Vorë”.
Më konkretisht, Saimir Shera është shpallur fajtor për veprën penale vrasje me paramendim, kryer në bashkëpunim dhe 21 vite burgim. Po ashtu, ai është shpallur fajtor edhe për mbajtje pa leje të armëve të zjarrit, vepër penale e cila i shton edhe 5 vite të tjera burgim. Me uljen e dënimit me 1/3 përfundimisht Saimiri është dënuar me 14 vite dhe tetë muaj burgim.
Kurse, vëllai i tij, Arsil Shera është shpallur fajtor për veprën penale vrasje me paramendim, e kryer në bashkëpunim duke u dënuar me 15 vite burg. Në zbatim të nenit 406 te K.Pr.Penale, ai është dënuar përfundimisht me 10 vite burgim. Arsil Shera kërkoi ndryshimin e vendimit, dhe deklarimin e pafajshëm për akuzën e vrasjes me paramendim, kurse vëllai i tij, Saimiri kërkoi që të ndryshohej vendimi, për caktimin e dënimit
Çështja shkoi në apel pasi nën kufijtë e parashikuar me ligj. Megjithatë, Gjykata e Apelit Tiranë vendosi sot që të linte në fuqi vendimin e marrë nga Gjykata së Rrethit Gjyqësor Tiranë më 9 shkurt të këtij viti.
Kujtojmë se në dëshminë e tij para prokurorëve, Saimir Shera ishte shprehur se i “ishin errësuar sytë” kur mësoi se e ëma kishte një lidhje me Budllën, duke theksuar se kur ishte kthyer nga Greqia kishte gjetur të gjithë fshatin duke folur për këtë çështje.
“I ngjita makinës me qira frazën e urimeve në dasmë dhe i kërkova vëllait tjetër t’i jepte automjetit,” u rrëfye në gjykatë i riu i cili tregoi se më i vogli nuk dinte asgjë.
Pavarësisht kësaj, gjykata i shpalli fajtorë të dy të rinjtë.
NJOFTIM
Me datë 03.08.2020, rreth orës 16:46, në rrugën nacionale “Fushë Krujë – Vorë”, është vrarë me armë zjarri shtetasi me iniciale A.B, i cili punonte si taksist. Rezulton se autorët e vrasjes janë dy vëllezërit, shtetasit me iniciale S.Sh dhe A.Sh. Referuar interesimit të mediave, ju informojmë si më poshtë:
Në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, u zhvillua gjykimi lidhur me çështjen penale që i përket të pandehurve me iniciale S.Sh dhe A.Sh, të akuzuar për kryerjen e veprave penale të “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioni”, të parashikuara nga nenet 78, 25 dhe 278 të K.Penal.
Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr. 288, datë 09.02.2022 ka vendosur:
- Deklarimin fajtor të të pandehurit Sh, për kryerjen e veprës penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga Neni 78 dhe 25 të Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me njëzet e një vjet burgim.
- Deklarimin fajtor të të pandehurit Sh, për kryerjen e veprës penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municioni parashikuar nga Neni 278 prg.1 të Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me pesë vjet burgim.
- Në zbatim të nenit 55 te K.Penal, në bashkim të dënimeve i pandehuri Sh, të dënohet me njëzet e dy vjet burgim.
- Në aplikim të Nenit 406/1 tëPr.Penale, të pandehurit S.Sh, i ulet 1/3 e dënimit dhe përfundimisht dënohet katërmbëdhjetë vjet e tetë muaj burgim.
2.Deklarimin fajtor të të pandehurit A.Sh, për kryerjen e veprës penale të “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga Neni 78 dhe 25 të Kodit Penal dhe dënimin e tij me pesëmbëdhjetë vjet burgim.
- Në zbatim të Nenit 406 te K.Pr.Penale, perfundimisht i pandehuri Sh të dënohet me dhjetë vjet burgim.
-Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga i pandehuri me iniciale A.Sh, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit, deklarimin e pafajshëm për veprën penale të “Vrasjes me paramendim” kryer në bashkëpunim si dhe mbi bazën e ankimit të bërë nga i pandehuri me iniciale S.SH, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit, caktimin e dënimit nën kufijtë e parashikuar me ligj.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Apelit Tiranë, e përbërë nga trupi gjykues me Relatore Gjyqtare znj. Elona Mihali dhe anëtarë znj. Alma Ahmeti dhe z.Fatri Islamaj, me vendimin nr. 944 , datë 11.10.2022 vendosi:
– Lënien në fuqi të vendimit nr. 288 datë 09.02.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë./m.j