Janë identifikuar autorët që fshihen pas djegies së makinës së Marsel Buqos.
Sipas policisë autorët janë dy vëllezër të dy banues në Elbasan, ndërsa në pranga është vënë vetëm njëri.
Është arrestuar Durim Stafa 35 vjeç ndërsa vëllai i tij Resmi Stafa është shpallur në kërkim.
Deri dje gishti për djegien e makinës së Marsel Buqos i drejtohej Deizi Arapit 27 vjeçe, pasi sipas burimeve nga policia Buqo ishte akuzuar nga Deizi Arapi, të cilës ju dogj mjeti pak javë më parë.
Kujtojmë se makina e Deizi Arapit është djegur më 25 shtator. Kjo ka qenë hera e dytë që 27-vjeçares i djegin makinën.
Deizi Arapi u arrestua rreth dy muaj më parë pasi u konfliktua me punonjësit e policisë gjatë shoqërimit në Komisariat pas ankesave të banorëve për prishje të qetësisë publike.
27-vjeçarja së bashku me të motrën, Xhesika Arapi u shoqëruan në komisariat më 23 gusht, gjatë natës ndërsa udhëtonin me makinën e tyre bërtasin nëpër qytet.
Kur policia mbërriti për t’i shoqëruar, motrat nuk kursyen fjalorin banal ndaj uniformave blu.
Në vitin 2018-të Deizi Arapit i kanë djegur makinën tip “Smart”. Hetimet në atë kohë bënë me dije se djegia e mjetit mund të ishte bërë për hakmarrje mes vajzave.
Njoftimi i policisë
Devoll/Zbardhet ngjarja e ndodhur një natë më parë në Bilisht, ku u dogj automjeti i një 34-vjeçari.
Identifikohen 2 autorët e dyshuar (vëllezër) të zjarrvënies, vihet në pranga njëri prej tyre dhe shpallet në kërkim autori tjetër i dyshuar.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Devoll, pas një pune intensive hetimore për ngjarjen e ndodhur më datë 10.10.2022, në qytetin e Bilishtit, ku u dogj një automjet, bënë të mundur identifikimin e 2 autorëve të dyshuar të saj.
Si rezultat, u bë ndalimi i shtetasit D. S., 35 vjeç dhe u shpall në kërkim shtetasi R. S., 40 vjeç (vëllezër), të dy banues në Elbasan, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, kryer në bashkëpunim.
Nga veprimet hetimore dhe nga provat e grumbulluara rezultoi se këta shtetas i kanë vënë zjarrin automjetit tip “Audi A4”, në pronësi të shtetasit M. B., 34 vjeç, banues në Bilisht dhe për pasojë, automjeti është djegur plotësisht.
Vijon puna për vënien para përgjegjësisë penale të përsonave të tjerë, të dyshuar të implikuar në këtë ngjarje.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshm./m.j