Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu deklaroi se do të vlerësojë maksimalisht çdo kandidat të opozitës, të cilin do e ketë përballë për bashkinë e qytetit verior.
Në një intervistë për Euronews Albania, Ndreu nënvizoi se nuk hyn në zgjedhje me mendimin që e ka të fituar garën.
“Kushdo që është kundërshtar, është për t’u vlerësuar. Normalisht, do vendosin dikë, i cili të paktën nga pikëpamja e qasjes sime ndaj rivalit do jetë jashtëzakonisht pozitive. Ne nuk do prodhojmë negativitet nga ana jonë, secili do bëjë fushatën e vet. Në fund të fundit, vendosin qytetarët.
Nuk jam nga ata delirantë që them, unë e kam të fituar. Një kandidat që hyn në zgjedhje me idenë që e ka të fituar, është i destinuar të humbë. Kemi filluar me organizimet dhe do bëjmë të gjitha organizimet e duhura, për t’u treguar konkurrues”, theksoi ai.
Në zgjedhjet lokale të pranverës së ardhshme, Partia Socialiste do të garojë e vetme dhe jo me aleatë.
Kreu i Grupit Parlamentar socialist, Taulant Balla deklaroi ditën e djeshme se aleatët e tyre janë vetëm qytetarët.
/s.f