Përveç hakmarrjes dhe trafikut të drogës, policia po heton edhe në një pistë tjetër lidhur me masakrën në Elbasan të datës 3 shkurt. Një pistë tjetër e hetimit është sherri që ka ndodhur para disa ditësh mes disa djemve të fisit Çapja dhe anëtarëve të një grupi tjetër kriminal në Elbasan, shkruan gazeta Shqiptarja.com.
Hetuesit besojnë se kjo mund të jetë një pistë e mundshme, pasi anëtarët e grupit tjetër kriminal konsiderohen nga policia si kontingjent të trafikut të drogës. Disa kohë më parë, djemtë e fisit Çapja rrahën keq këta persona, megjithatë sherri u mbyll në atë moment. Por duket se anëtarët e grupit kriminal nuk e kishin harruar atë që ndodhi dhe mund të jenë hakmarrë.
Prokurorët besojnë se autorët mund të kenë shfryrë dufin për sherrin e ndodhur mes tyre dhe familjes Çapja, duke qëlluar mbi ta plot 65 plumba. Policia ka shoqëruar në komisariat personat që ishin të përfshirë në atë sherr dhe të gjithë rezultojnë të jenë me precedentë penalë.